Politike

Dorëheqja e Bashës, Gazment Bardhi: Enkelejd Alibeaj kryetar i komanduar i PD

Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD-së. Por kush e merr drejtimin e partisë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Sipas nenit 46 të statutit të partisë drejtimin e partisë deri në zgjedhjen e kryetarit te ri e merr njëri nga nënkryetarët.

Aktualisht të padorëhequr janë Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku.

Një nga pikat e nenit 46 te statutit thuhet specifikisht: “Kryetari i Partisë gjatë veprimtarisë së tij të përditshme i cakton detyra dhe fusha të caktuara përgjegjësie Nënkryetarëve të Partisë. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri”.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së dhe leximit të një deklarate të Alibeajt e përgatitur paraprakisht, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka ndërmarrë veprimin e radhës, bazuar ne nenin sa me siper.

“Pasi jam njohur me deklaratën e Kryetarit të Partisë z. Lulzim Basha se ka vendosur të hedhë një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD për të ndihmuar në ringritjen e PD, kam thirrur në një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën Nënkryetarët e Partisë znj. Jorida Tabaku dhe z. Enkelejd Alibeaj, si dhe Kryetaren e Këshillit Kombëtar të PD znj. Arta Sakja.

 Në mbështetje të Statutit të Partisë dhe për të mos krijuar asnjë vakuum në drejtimin e Partisë në këtë moment të vështirë dhe specifik, kam konsultuar të dy Nënkryetarët me qëllim paraqitjen për zgjedhjen menjëherë nga Këshilli Kombëtar të komandimit të njërit prej tyre për drejtimin e Partisë.

 Në takim kam marrë konfirmimin e Nënkryetares znj. Tabaku se heq dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë. Për pasojë, në përputhje me nenit 46 të Statutit, drejtimi i partisë në këtë periudhë tranzitore, deri në vendimmarrjen e institucioneve të partisë, do të behet nga Nënkryetari i Partisë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar z. Enkelejd Alibeaj”, njoftoi Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë