Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama, nga Vlora ku zhvilloi një tjetër takim në bashki dhe inspektoi hapësirat publike në zona, tha se drejtorët e dorëhequr e kanë kuptuar se qyteti është mbi të gjitha.
Kreu i qeverisë u shpreh se ndonjërit prej tyre mund t’i jepet mundësia në të ardhmen, ndërsa e cilësoi këtë hap, si të parin drejt një transformimi të thellë. Për Ramën, bashkia e Vlorës duhet të jetë një institucion për qytetarët dhe i pagjumësisë.
“Drejtorët e bashkisë e kanë kuptuar që qyteti është mbi të gjitha. Dhe që janë të papërshtatshëm për atë detyrë. Natyrisht që ndonjërit mund t’i jepet mundësia në të ardhmen. Drejtuesit, edhe ata rajonalë, kanë dhënë dorëheqjen dhe i falënderoj. Nuk do të ketë rikthim për dorëheqjet. Bashkia do të konfirmojë të gjithë dorëheqjet dhe kështu do të ndodhë me të gjitha institucionet e vendit e ato rajonale.
Ky është vetëm hapi i parë i një transformimi të nisur dhe që bashkia e Vlorës do të jetë në një institucion për qytetarët dhe institucion i pagjumësisë”, tha ai.
Gjatë takimit Rama paralajmëroi edhe deputetët, teksa tha se ka ikur koha kur ata shfaqeshin shumë pak në terren dhe i trajtonin ankesat e qytetarëve nga kafeneja.
“Ne duhet ta kapërcejmë kohën e deputetëve që shfaqeshin shumë pak në territor dhe që ankesat apo kritikat për punën e pushtetit vendor apo të institucioneve qendrore i bënin nëpër kafene. Kemi folur për një qasje të strukturuar dhe përfaqësuesit e grupit të deputetëve që ishin në listën e 11 majit në bashkinë e Vlorës janë të përfshirë në mbulimin e territorit duke shpërndarë kështu, barrën e mbulimit të territorit në më shumë supe dhe duke shfrytëzuar faktin se kemi në Vlorë disa deputetë dhe deputete që janë përfaqësues në Kuvend.”, u shpreh Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




