Nga Gazeta ‘Si’– Ish-presidenti dhe ish-kryeministri slloven, Borut Pahor, ka njoftuar se nuk do të kandidojë për postin e emisarit të Bashkimit Europian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Vendimi është bërë publik përmes një letre në X, ku Pahor përmendi disa arsye kryesore për tërheqjen e tij, përfshirë kundërshtimin nga zyrtarë të BE-së, sfidat buxhetore dhe mosdakordësinë e tij me politikat aktuale të unionit.
Afati për aplikim për këtë post ka përfunduar, dhe Pahor ka theksuar se kriteret e BE-së favorizojnë diplomatët në vend të politikanëve për rolet speciale.
POJASNILO glede razpisa Visoke predstavnice EU za zunanjo in varnostno politiko za odposlanca za Dialog Beograd Priština in druga regionalna vprašanja: pic.twitter.com/3KNGdpCrtD
— Borut Pahor (@BorutPahor) January 3, 2025
Vetë Pahor e ka cilësuar këtë si një vendim legjitim, megjithatë thotë se një gjë e tillë do të vazhdojë politikën e dialogut teknik, dialog i cili sipas tij s’ka pasur sukses.
Pahor deklaron se frika e BE që mbase ai do të ishte arbitrar për shkak të kaluarës politike është e pabazuar.
“Ky është sigurisht një vendim legjitim, por ai vazhdon politikën e dialogut teknik, i cili nuk ka patur sukses. Frika se mund të jem arbitrar për shkak të posteve të mia të larta politike në të kaluarën, është e pabazë”, ka deklaruar Pahor.
Pahor ka qenë një ndër emrat e parë që kishte bërë publik interesimin e tij për të pasuar sllovakun, Miroslav Lajcak, në pozitën e emisarit. Megjithatë për shkak të rrethanave që ishin krijuar, Lajçakut i është zgjatur mandati deri më 31 janar 2025.
Ky vendim vjen në një moment të rëndësishëm për procesin e dialogut, që mbetet një prioritet për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.