Analize

Trump po përpiqet të destabilizojë BE

Nga Josh Rogin-: Donald Trump do të ndalet këtë muaj në Europë për të marrë pjesë në samitin e radhës të NATO-s dhe fill më pas në një takim historik me Vladimir Putin në Helsinki. Por, sulmet personale të tij ndaj Bashkimit Europian dhe shtyllave të tjera të Perëndimit kanë zbehur përpjekjet e administratës së tij për të siguruar aleatët se SHBA beson ende tek projekti transatlantik.

Gjatë një takimi privat me Presidentin francez, Emmanuel Macron në fund të muajit prill në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump po diskutonte për tregtinë. Në një moment i drejton homologut të tij europian një pyetje të çuditshme. “Pse nuk largoheni nga Bashkimi Europian?”, është shprehur Trump, duke i premtuar Macron se në këtë mënyrë, Franca do të përfitonte marrëveshje me të mirë tregtare me SHBA.

Shtëpia e Bardhë nuk e ka komentuar këtë, por as e ka mohuar se këtë pyetje Trump e ka ngritur përballë Macron, që konfirmohet edhe nga zyrtarë të lartë europianë. Edhe sikur të marrim për të mirëqenë faktin që Trump nuk është në dijeni të politikave të Macron dhe as të njerëzve që e kanë votuar atë, përpjekja për të shkërmoqur një organizatë aleate të Amerikës bie ndesh me vetë Amerikën.

Si BE, ashtu edhe NATO kanë qenë dy organizmat më të qortuar nga Donald Trump, që prej kohës së fushatës elektorale. Me zgjedhjen President, shumë mendonin se këto sulme do të ndaleshin dhe se ishin vetëm në kuadër të fushatës, por e kundërta ndodhi.

“Bashkimi Europian ka përfituar nga Shtetet e Bashkuara duke shfrytëzuar marrëveshjet e pandershme që janë nënshkruar”, deklaronte Trump pak ditë më parë në një takim në Dakotan e Veriut, duke folur më pas për një deficit tregtar prej 150 miliardë dollar me BE-në.

Fotoja e virale nga samiti G7, që tregon klimën në takimin mes udhëheqësve në Kanada

Jo vetëm kaq. Gjatë samitit të ndezur të G7 në Kanada në disa media u raportua se Donald Trump kishte deklaruar se NATO është po aq e keqe sa NAFTA, marrëveshja e tregtisë së lirë mes SHBA, Meksikës dhe Kanadasë, e për më tepër i ka deklaruar kryeministrit suedez se Amerika duhet të dalë nga kjo aleancë.

Trump vazhdoi më tej duke sulmuar Kancelaren gjermane Angela Merkel në momentin më të dobët të saj, pikërisht atëherë kur brenda koalicionit të saj po vlonin zërat kundër politikave të ndjekura prej saj për emigracionin. Të gjitha këto të çojnë në një përfundim logji: Donald Trump nuk beson as tek BE, as tek NATO dhe as tek zotimi tradicional i SHBA ndaj të dyja këtyre.

Mbështetësit e Trump mbrojnë qëndrimet e tij duke thënë se Presidenti herë pas herë hedh për diskutim a konsum debati një temë që konsiderohej tabu për të parë se ku janë gjërat dhe motivet kryesore të tij janë politike. Shumë prej tyre besojnë se këshilltarët dhe drejtuesit e lartë të diplomacisë dhe ushtrisë në administratën e tij mund t’ja dalin mbanë që ta mbajnë nën kontroll dhe t’u japin garanci aleatëve.

Në vitin e parë të mandatit të Trump kjo ndodhi dhe aleatët europianë ishin të qetë. Por, në vitin e dytë, të paktën deri më tani Donald Trump ka shembur njëra pas tjetrës garancitë dhe besimin e verbër europian tek SHBA. Ekipi i tij i ri i sigurisë kombëtare përbëhet nga njerëz besnikë të palëkundur të parimit “Amerika e Para” e ndoshta kanë edhe një strategji për këtë.

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo deklaroi pak ditë më parë se Trump po mundohet që të rifreskojë rregullin liberal në botë, jo ta çmontojë atë. Sipas Pompeos, ai është treguar energjik për të detyruar aleatët që të pranojnë reformat që reflektojnë interesat më të mira të SHBA. Ndihmësi i Pompeos, Ëess Mitchel thuajse në të njëjtën kohë deklaroi nga Brukseli se Trump kishte një “strategji rinovuese” dhe nevojën për një pakt të ri tregtar BE-SHBA e lexoi si përpjekje për të qenë të përgatitur me konkurrencën ndaj Rusisë dhe Kinës, që është në sfond.

Por, këto justifikime të vartësve të Trump nuk kanë qenë bindëse në sytë e europianëve. Udhëheqësit e BE-së e kanë kuptuar se nuk mund të rindërtojnë urën transatlantike në mes të uraganit Trump dhe nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të vihen në kërkim të alternativave për të zëvendësuar SHBA, të paktën si fillim në partneritetin ekonomik.

Ish-Kryeministri britanik, Tony Blair

“Nëse e shohim botën me kujdes sot, kuptojmë që pozicioni udhëheqës i Perëndimit po sfidohet dhe nëse Perëndimi nuk është i bashkuar, atëherë do ta ketë më të vështirë përballë kësaj sfide”, mendon ish-kryeministri britanik, Tony Blair.

Blair mendon se nëse Europa e bashkuar nuk ndjen SHBA në krahun e vet, atëherë vende të veçanta mund t’i kthejnë shpinën Uashingtonit dhe të kërkojnë aleatë të rinj gjeopolitikë dhe kjo nuk është në interes të SHBA.

Qëndrimet publike të Donald Trump për një sërë çështjesh afrohen shumë me ato të Vladimir Putin, përfshirë statusin e Krimesë, luftën në Ukrainë dhe ndërhyrjen e rusëve në zgjedhjet amerikane. Pra, si përfundim, sulmet e Trump ndaj BE-së dhe NATO-s çojnë ujë në mullirin e Putinit.

“Përsas kohë ka një Europë të bashkuar që ruan rregullin ndërkombëtar liberal, është një katastrofë për diktatorë si Putini dhe për këtë Putin është duke vepruar ashtu siç po vepron”, deklaron ish-zv.Presidenti amerikan, Joe Biden.

SHBA dhe BE kanë patur përplasje në të shkuarën dhe është e pamundur që të mendohet zgjidhja e plotë e tyre, por Trump është duke shkaktuar një dëm të pallogaritshëm dhe të panevojshëm në këtë drejtim. Sot, qëndrimet e tij kundër BE-së dhe NATO-s, si dhe vënia në pikëpyetje e marrëdhënies së SHBA me të dy këto organizma nuk mund të shihet më thjesht si një retorikë politike, por janë përpjekje të vazhdueshme për të minuar një infrastrukturë strategjike që si Amerika, ashtu edhe Europa kanë nevojë më shumë se kurrë.

The Washington Post


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë