Analize

Donacionet pas tragjedive, jo të gjithë e mbajnë fjalën

Shqipërisë iu premtuan 1.15 miliard euro në Konferencën e Donatorëve të zhvilluar më 17 shkurt në Bruksel, në formën e donacioneve dhe të kredive të buta. Nisur nga shembujt që mbërrijnë nga e shkuara në konferenca të ngjashme, Shqipëria do të cilësohet një rast i suksesshëm nëse arrin që të përthithë më shumë se gjysmën e këtyre fondeve.

Përse? Arsyeja nuk lidhet vetëm me mosbindjen e investitorëve që janë shprehur të gatshëm që të financojnë projekte të caktuara, si në rastin e Bankës Islamike, apo Bankës Botërore, Bankës Europiane për Rindërtim e Zhvillim dhe Bankës Europiane të Investimeve, por me mosmbajtjen e premtimeve të bëra nga shtetet donatore.

Në një analizë të bërë në 2015, OXFAM, organizatë që mbledh nën ombrellën e saj 19 organizata e shoqata bamirësie thotë se vendet e pasura kanë paguar më pak se gjysma e shumës së parave të premtuara për të ndihmuar vende të goditura nga tragjeditë natyrore, ose njerëzore.

OXFAM shqyrtoi të dhënat nga tre konferenca donatorësh të kryera nga 2007 deri në 2014 dhe gjeti se mesatarisht në të trija konferencat u dhurua prej vendeve donatore vetëm 47 për qind e fondit të parave të premtuara. Ashtu si në rastin e Shqipërisë, edhe në këto konferenca kishte raporte të detajuara mbi dëmet e tragjedive, ndaj vendet pjesëmarrëse ishin shumë mirë të informuara mbi shumën që nevojitej.

“Shohim një dështim sistematik. Në secilën nga tre konferencat e donatorëve që ne mbikëqyrëm ka mospërputhje mes asaj që premtohet dhe asaj që jepet. Donatorët arritën vetëm një gjë; atë të premtimeve të pambajtura. Vendet e pasura premtojnë me furi, por dërgojnë me pikatore”, deklaronte në atë kohë Gregory Adams, drejtor i OXFAM për efektivitetin e ndihmave.

OXFAM tha në analizën e vet të 2015-ës se vendet e pasura kishin premtuar plot 16.4 miliardë dollarë në tre konferenca madhore donatorësh për rindërtimin nga 2007 deri në 2014. Por, deri në 2015, vetëm 7.7 miliardë dollarë kishin dhënë. Dështimi më i madh i mosmbajtjes së premtimeve është konferenca e donatorëve për Haitin, e zhvilluar në Nju Jork në 2010 pas tërmetit që goditi këtë vend.

11 nga 47 vende që kishin premtuar shuma të majme nuk kishin derdhur asnjë qindarkë deri në 2015 dhe 10 të tjera kishin dhuruar më pak se gjysma e premtimit të dhënë. Haitit në këtë konferencë iu premtuan pak më shumë se 5.3 miliardë dollarë, ndërsa rreth 3 miliardë iu disbursuan.

Rasti tjetër ku premtimet nuk janë mbajtur mbërrijnë nga konferenca e zhvilluar për të ndihmuar Libanin në 2007 për procesin e rindërtimit pas konfliktit të përgjakshem me grupet ekstremiste që zgjati për disa muaj. Në konferencën e zhvilluar u premtuan 7.3 miliardë dollarë, por deri në 2015 donatorët kishin dhënë vetëm 3.6 miliardë, as 50 për qind të fondeve të premtuara. E njëjta gjë ndodhi edhe me konferencën për të rindërtuar Gazan në 2014. Këtu u premtuan 3.5 miliardë dollarë, por u disbursuan rreth 970 milionë, ose 27 për qind e premtimeve të dhëna.

Kjo është për pjesën e donacioneve, që në konferencën e Brukselit Shqipërisë iu premtuan rreth 400 milionë euro. Pjesa tjetër, pra rreth 800 milionë euro është premtuar në formën e kredive të buta për financimin e projekteve të rindërtimit. Tërheqja e këtyre kredive do të varet në një masë të madhe nga aftësia e Shqipërisë për të bindur investitorët me projekte dhe zotimin për transparencë dhe shpenzimin e duhur të parave.

Për këtë qëllim, vetë institucionet që kanë premtuar shumën më të madhe të parave në këtë formë kanë hartuar një listë me kushtet dhe parimet që duhet të ndjekë Qeveria shqiptare që të tërheqë fondet në fjalë.

Kryefjala e kushteve është transparenca, ngritja e strukturave të administratës së rindërtimit në bazë të rregullave të qarta dhe me përgjegjësi të mirëpërcaktuara dhe konsultimi publik për projektet e rindërtimit me qytetarëët. Për kushtet në fjalë janë dakordësuar Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve dhe Komisioni Europian. Jashtë këtyre kërkesave është Banka Islamike, që premtoi në konferencën e donatorëve 365 mln euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë