Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili publikoi te dielën një dokument, sipas të cilit në Spitalin e Beratit u kërkohet mjekëve të mos japin rekomandime për analiza për pacientët që rekomandohen nga mjeku i familjes, shkojnë për vizitë tek mjeku specialist, apo në urgjencë. Vetëm rastet e rënda mund të bëjnë analiza.
Sipas urdhrit të publikuar nga Vasili, mjekëve u kërkohet t’i shtyjnë analizat për në prill. “Ky është dokument zyrtar me firmë dhe vulë. U drejtohet mjekëve të familjes dhe poliklinikave si dhe spitaleve ku u kërkohet të pezullojnë analizat për pacientët për pjesën e mbetur të muajit mars. Mjekëve të urgjencës u kërkohet që të triazhojnë pacientët dhe të dërgojnë për analiza vetëm pacientët në gjendje të rëndë! Për pacientët e shtruar në spital urdhri kërkon që “të kufizohen ekzaminimet laboratorike të panevojshme”! Këto urdhra janë kriminale pasi i privojnë pacientët nga një ndërhyrje që mund të bëjë diferencën midis jetës dhe vdekjes, tregojnë qartë se sistemi shëndetësor ka falimentuar! Vetëm këta prej 9 vjetësh sistemin shëndetësor mund t’u kërkojnë mjekëve të shmangin ekzaminimet e panevojshme! Çfarë do të thotë “ekzaminim i panevojshëm”??!! Protokollet e trajtimit mjekësor nuk flasin kurrë për ekzaminime të panevojshme sepse të tilla koncepte të çmendura ekzistojnë vetëm në mendjen e rilindjes”, thotë Vasili .

Me tej ai shton: “A ka kontroll për mënyrën se si shpenzohen burimet financiare të cilat edhe në sistemet më të pasura shëndetësore trajtohen me vëmendje maksimale?!
Kur mjekët dhe specialistët e menaxhimit shëndetësor flisnin për rrezikun që vinte nga PPP-ja e laboratorëve, askush nuk e mendoi se situata do të arrinte deri në këtë pikë!
Edhe OBSH u shpreh qartë në atë kohe se laboratorët nuk duhet të jepeshin me koncesion.
Mjekët ligjërisht nuk mund dhe nuk duhet ta zbatojnë këtë urdhër sepse ky i vë përpara përgjegjësisë ligjore ata vete për mjekim të pakujdesshëm me pasoja jetën dhe shëndetin e pacienteve.
Ndërkohë pacientët të cilëve së shpejti do t’u vijë një mesazh për t’i njoftuar se ekzaminimet e planifikuara për muajin mars do të shtyhen për në muajin prill”, thotë Vasili.
Më tej ai shton: “Kjo qeveri që ka para’ të paguaje inceneratorët dhe Klodian Zoton dhe Stela Gugallen, të paguajë koncesione e tendera sekrete me 10-fishin e çmimit nuk paska lekë për analizat e shqiptarëve.
Këtu e katandisi shëndetësinë Edi Rama duke shënuar fundin e duke mos siguruar as minimumin analizat mjekësore. Prokuroria për turpin e saj ka lidhur duart dhe sheh krimin në mes të ditës dhe nuk reagon. Çfarë drejtësie e re është kjo që edhe përpara skandaleve kaq të rënda nuk reagon”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje