Gazeta Si – Europa përballet me rrezikun e “zhdukjes së qytetërimit” dhe “nëse trendet aktuale vazhdojnë”, Kontinenti i Vjetër “do të jetë i panjohur në 20 vjet ose më pak”.
Kjo është ajo që Shtëpia e Bardhë deklaron në një dokument që përshkruan strategjinë e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Administrata e presidentit Donald Trump, në këtë strategji të re të shumëpritur, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të braktisin rolin e tyre global për t’u përqendruar më shumë në Amerikën Latine dhe luftën kundër emigracionit.
Në mënyrë specifike, dokumenti rendit çështjet që rrezikojnë historinë dhe kulturën e kontinentit. “Sfidat më të gjera me të cilat përballet Evropa, përfshijnë aktivitetet e Bashkimit Evropian dhe organeve të tjera transnacionale që minojnë lirinë dhe sovranitetin politik, politikat e emigracionit që po transformojnë kontinentin dhe po krijojnë konflikt, censurën e shprehjes së lirë dhe shtypjen e opozitës politike, rënien e ndjeshme të niveleve të lindjeve dhe humbjen e identiteteve dhe vetëbesimit kombëtar”.
Në dokument, edhe NATO – Ndër prioritetet e politikës së përgjithshme të Shteteve të Bashkuara për Europën, janë rivendosja e “kushteve të stabilitetit brenda Europës dhe stabiliteti strategjik me Rusinë”, “mundësimi i Europës të qëndrojë në këmbët e veta dhe të veprojë si një grup kombesh sovrane të bashkuara, duke marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e vet, pa u dominuar nga ndonjë fuqi kundërshtare”.
Së fundmi, “duke i dhënë fund perceptimit dhe duke parandaluar realitetin e NATO-s, si një aleancë në zgjerim të vazhdueshëm”.
Duke parë përtej Evropës, dokumenti thotë se “Indo-Paqësori, është dhe do të vazhdojë të jetë një nga fushat kryesore të betejës ekonomike dhe gjeopolitike të shekullit të ardhshëm”.
“Presidenti Trump ka përmbysur i vetëm, më shumë se tre dekada supozimesh të gabuara të SHBA-ve në lidhje me Kinën: se, duke hapur tregjet tona për Kinën, duke inkurajuar kompanitë amerikane të investojnë në Kinë dhe duke zhvendosur prodhimin tonë industrial atje, ne do të lehtësonim hyrjen e Kinës në të ashtuquajturin rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Kjo nuk ka ndodhur”.
“Pasoja e Trump” e Doktrinës “Monroe” – Dokumenti përmbledh “qëllimet tona për Hemisferën Perëndimore”, pra, rekrutimin dhe zgjerimin.
“Rekrutimi do të thotë angazhimi i miqve të vendosur në hemisferë për të kontrolluar emigracionin, për të ndaluar fluksin e drogës dhe për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë, si në tokë ashtu edhe në det”, specifikon dokumenti.
Ndërsa zgjerimi do të thotë kultivimi dhe forcimi i partnerëve të rinj, duke rritur njëkohësisht atraktivitetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një partner i preferuar ekonomik dhe i sigurisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



