Publikisht vendet e zhvilluara flasin për nevojën e ndërtimit të fabrikave të reja të prodhimit të vaksinave anti-Covid, sidomos në vendet në zhvillim dhe vendet e varfra, por “privatisht” kanë bllokuar të gjitha nismat e shprehura prej këtyre vendeve për rritjen e kapaciteteve prodhuese të vaksinave.
Dokumente sekrete të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë rrjedhur në publik, e sipas të cilave, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë bllokuar propozimet e vendeve të tjera për ndërtim fabrikash prodhimi vaksinash anti-Covid.
Sipas këtyre dokumentave, disa vende të varfra janë paraqitur në OBSh me propozime për ndërtime fabrikash prodhimi të këtyre vaksinave dhe në të gjitha rastet BE, SHBA dhe Britania kanë bllokuar këto nisma duke cituar parashikimet e ligjeve ndërkombëtare.
Kjo zbulohet nga teksti i rrjedhur nga negociatat për këtë çështje brenda OBSh-së për miratimin e një rezolute, në thelb të së cilës ishte thirrja për ngritjen e fabrikave të prodhimit të vaksinave në vende të treta.
BBC nuk përmend emra vendesh në zhvillim dhe vendesh të varfra që kanë paraqitur interesin për ndërtim fabrikash në territoret e tyre, por në listë, sipas dokumentacionit të rrjedhur janë India, Afrika e Jugut, Brazili e vende të tjera nga Azia e deri në Amerikën Latine.
Gjatë negociatave në lidhje me përmbajtjen e rezolutës, një pjesë e saj bënte thirrje për nxitjen dhe financimin e ngritjes së fabrikave të prodhimit të vaksinave anti-Covid në vende të varfra dhe në zhvillim. Por, Britania e Madhe, SHBA dhe Bashkimi Europian kanë dalë kundër kësaj pjese të tekstit të rezolutës dhe kanë kërkuar heqjen e këtij paragrafi.
Reagimi i parë pas rrjedhjes së këtij dokumenti nga negociatat e zhvilluara ka mbërritur nga Britania e Madhe, që mohon se është bërë pengesë e kësaj nisme.
“Pandemia gjithëbotërore kërkon një zgjidhje gjithëbotërore dhe Mbretëria e Bashkuar është duke udhëhequr në këtë drejtim, për të garantuar akses të barabartë për vaksinat anti-Covid në mbarë botën”, deklaroi për BBC një zëdhënës i qeverisë britanike.
Zëdhënësi thotë se Britania e Madhe është një prej dhuruesve më të mëdhenj te përpjekjet ndërkombëtare për të siguruar vaksina për vendet në zhvillim, ndërkohë që nga SHBA dhe BE nuk ka ende një reagim.
Nëse për SHBA dhe Britaninë e Madhe ky qëndrim edhe mund të pritej, për Bashkimin Europian ky qëndrim i mbajtur në këtë negociata bie ndesh me kërkesën e Parlamentit Europian, që në fillim të muajit shkurt bëri thirrje për nxitjen e ngritjes së fabrikave të prodhimit të vaksinave anti-Covid në vendet në zhvillim.
Burimi BBC. Përshtati në shqip, Gazeta “Si“
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.