Drejtësia

Dokumenti i Qeverisë / Reforma në drejtësi kërkon të paktën 10 vite dhe miliona euro

Reforma në drejtësi do të zgjasë të paktën edhe dhjetë vite dhe do të kushtojë nga 50 deri në 57 milionë euro deri në 2025-ën, në varësi të proceseve që do të pasojnë. Kohëzgjatja e saj dhe kostot financiare shpalosen në strategjinë ndërsektoriale të drejtësisë 2021-2025, të hedhur për konsultim nga Ministria e Drejtësisë. Në këtë strategji propozohen tre mundësi.

Opsioni i parë ruan “status quo”-në dhe në parim lë situatën të qëndrojë siç ishte në fund të vitit të kaluar, duke mos vijuar reformën në drejtësi. Në këtë skenar kostoja e drejtësisë deri në 2025 nuk ndryshon.

“Procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të rrezikonte të mbetej i papërfunduar; sistemi gjyqësor do të vazhdonte të shoqërohej nga nivele të larta çështjesh ende të pashqyrtuara për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe efikasitetit jo të lartë; do të kishte një numër relativisht të lartë të vendeve vakante në prokurori; nuk do të kishte përmirësime të ndjeshme në sistemin e drejtësisë penale ku; ndër të tjera, shërbimi i provës do të përballej me një numër në rritje të personave të përfshirë në sistemin e shërbimit të provës, në mungesë të kapaciteteve institucionale për të përballuar këtë rritje, do të kishte probleme me garantimin e të drejtave të njeriut në sistemin penitenciar si pasojë e mungesës së investimeve; nuk do të kishte përmirësime në performancën e MD, përfshirë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe kapacitetet për të përshtatur legjislacionin me BE”, thuhet në draft-strategjinë.

Opsioni i dytë lejon vijimin e reformës. Sipas këtij opsioni fuqizohen më tej institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, fokusohet në modernizimin e fushës së drejtësisë penale në përputhje me standardet evropiane, si dhe përmirësimin e menaxhimit e bashkërendimin të sektorit të drejtësisë ndaj kërkesave për menaxhim efektiv dhe efikas të sektorit.

Ky opsion bazohet në një koncept të zbatimit të reformave në drejtësi në tre faza dhe përfshin gjithashtu investimet e nevojshme teknologjike në shumën afërsisht 13 milion, përmirësime në burime dhe personelin e Ndihmës Juridike në shumën 1.7 milion Euro, përmirësime në personelin për shërbimin e provës në shumën 2.9 milion Euro, krijimin e një qendre mjekësore për të dënuarit me sëmundje mendore për 13 milion Euro dhe në fund, 4 milion Euro për 2024 dhe 2025 për ndërtimin e një gjykate apeli në Tiranë.

Në këtë skenar nuk parashikohet rritja në staf gjatë periudhës së zbatimit të strategjisë me përjashtim të shërbimit të provës dhe ndihmës juridike. Investimet në gjykata, në shërbimin e provës dhe në sistemin penitenciar janë mbajtur në nivele të ulta. Kostot totale të reformës në këtë opsion përllogariten në vlerën 34 milion Euro (4.2 miliard Lekë).

Kostot totale të procesit të reformës të përllogaritura vlerësohen të jenë 50-57 milion Euro gjatë periudhës 5-vjeçare të reformës. Shumica e investimeve të fokusuara në godinat e gjykatave, korpusi të ri të pallatit të drejtësisë, sitemit penitenciar dhe prokurorisë, në përmirësimin e dhënies së shërbimeve që i përkasin këtij opsioni propozohen që të realizohen në fazën finale të reformës në drejtësi, përkatësisht në periudhën 2026-2030.

Opsioni i fundit është kryerja e të gjitha investimeve të synuara deri më 2025-ën dhe jo për 10 vjet. Kostot në këtë skenar përllogariten të paktën 54 mln euro për 5 vjet.

Strategjia është prezantuar si pjesë e fazës së dytë të reformës në drejtësi, ku synohet konsolidimi i ndryshimeve institucionale, përfshirjen e praktikave moderne europiane të drejtësisë penale, përmirësimin e infrastrukturës dhe teknologjisë në mbështetje të rritjes së transparencës.

Pas kësaj faze, pra nga 2026 deri në 2030 nis faza e tretë dhe e fundit, ku synohet eleminimi i ngarkesës dhe rritja e cilësisë së shërbimeve të sistemit të drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë