Nga Gazeta 'Si' - Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas thotë se Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në procesin e anëtarësimit.
Në një konferencë me kryeministrin Rama, pas nënshkrimit të dokumentit të partneritetit me BE, Kallas theksoi se Shqipëria do të jetë pjesë e të gjitha tavolinave të rëndësishme ku do të diskutohet për sigurinë dhe mbrojtjen.
“I dashur Edi, të dashur ministra! Është një kënaqësi e veçantë të zhvillojmë këtë ceremoni nënshkrimi sot. Është vërtet e shkëlqyer të fillojmë këtë samit të Ballkanit Perëndimor me këtë ceremoni nënshkrimi.
Ne tashmë i kemi mbështetur forcat e armatosura të Shqipërisë drejtpërdrejt dhe të dyja palët tona dëshirojmë të bëjmë më shumë, kështu që kjo marrëveshje tregon se ne do të bëjmë më shumë së bashku.
Tregon qartë investim në sigurinë tonë të përbashkët. Tregon që Shqipëria do të jetë pjesë e të gjitha këtyre tavolinave të rëndësishme ku do të diskutojmë për sigurinë dhe mbrojtjen e Europës. Na lejon gjithashtu të zgjerojmë bashkëpunimin tonë, si në Europë, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm në procesin e anëtarësimit. Jam e lumtur që do të diskutojmë këtë dhe më tej në takimet e ditës së sotme. Kështu që mirë se vini dhe mezi pres për bashkëpunimin tonë të ardhshëm”, tha Kallas.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama u shpreh se kjo marrëveshje është e rëndësishme dhe lidhja mes BE duhet që të forcohet edhe më shumë.
'Është një ditë e rëndësishme për ne sepse kemi edhe samitin me BE dhe ne sot u zgjuam me një ndjesi të këndshme, sepse kemi hapur një tjetër grupkapitujsh. Dua të them se jemi të privilegjuar, sepse kemi kaluar një rrugë të gjatë.
Kjo marrëveshje është e rëndësishme dhe është shenjë që lidhja jonë është e pandashme dhe duhet të bëjmë më të mirën për ta forcuar çdo ditë e më shumë. Dua të shpreh falenderimet e mia për BE, për të gjithë ata që në emër të BE po punojnë pë ta shtyrë para këtë axhendë', tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.