Nga Gazeta “Si”- Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë hapi më 18 qershor një nga ekspozitat më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore mesdhetare: “Kujtesa e Mesdheut – Nga Antikiteti në Kohët Moderne”. Një ekspozitë që shpalos rrugëtimin nëpër historinë e dijes, artit dhe qytetërimeve që e kanë përshkuar brigjet e Mesdheut nga shekulli XIV deri në shekullin XIX.
Ekspozita përmbledh më shumë se 700 vepra origjinale si libra, dorëshkrime, harta dhe gravura të ruajtura në fondet e Bibliotekës Kombëtare. Çdo objekt është dëshmi e një kohe, e një shpirti të rrallë mesdhetar, që ndërthuret mes kulturash, besimesh dhe qytetërimesh. Ekspozita është ndarë në disa seksione tematike të kuruara me kujdes, që ndërtojnë një panoramë gjithëpërfshirëse të kontributit të Mesdheut në historinë e dijes dhe mendimit europian.

Nëndrejtoresha e Bibliotekës Kombëtare dhe realizuesja e ekspozitës, Majlinda Toçi thotë për GazetaSi.al se kjo ekspozitë është edhe një rast për të shpalosur në Bibliotekën Kombëtare kujtesën e vendit tonë të lidhur ngushtë me Mesdheun, si pjesë e popujve të lashtë të këtij rajoni.
“Shpalljen e Tiranës si ‘Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe i Dialogut’ për vitin 2025, Biblioteka Kombëtare e pa si një rast për t’i treguar publikut se në koleksionet e saj, ruhet edhe një dëshmi e identitetit të vazhdueshëm të Shqipërisë si vend i mesdheut, i lidhur në kujtesë me gjithë popujt e tjerë të cilët, prej lashtësisë, e kanë banuar këtë rajon, deri sa mandej, nga popuj u vetëdijësuan si kombe e në fund, u kthyen në shtete. Kjo kujtesë, e ruajtur më së miri në Bibliotekë, tregon se, fillimisht trojet arbërore e mandej Shqipëria, kanë qenë dhe janë pjesë integrale e vetë frymës së mesdheut, jo vetëm gjeografikisht, por edhe shpirtërisht. Nëpërmjet librave, hartave e gravurave rrëfehet ajo dëshmi shpirtërore e përkatësisë”
Toçi thotë se nga i gjithë fondi, u zgjodhën rreth 700 vepra origjinale duke lënë edhe shumë të tjera pa ekspozuar për mungesë hapësire.

“Të qartë se kjo duhej bërë e njohur, u konceptua edhe ekspozita ‘Kujtesa e Mesdheut, nga Antikiteti në Kohët moderne’, ku, pas një përzgjedhjeje të kujdesshme e ndonjëherë të dhimbshme, e cila kushtëzohej edhe nga hapësirat, u ekspozuan mbi 700 vepra origjinale, mes tyre edhe dorëshkrime, që datojnë mes viteve 1300-1800. Gjithçka, sigurisht, pjesë e koleksioneve tona.
E strukturuar me një narracion të qartë, ajo i jep mundësinë vizitorit të shtegtojë, në kronologji e logjikë, mes aspekteve dhe tipareve kryesore të trashëgimisë kulturore dhe historike të Mesdheut” shpjegon Toçi.
Ajo shpjegon edhe etapat historike dhe kohore të cilat prezantohen në këto materiale të rralla, duke nisur që nga antikiteti grek, biznati , dokumentet veneciane e deri në vitet e vona 1900.
“E strukturuar me një narracion të qartë, ajo i jep mundësinë vizitorit të shtegtojë, në kronologji e logjikë, mes aspekteve dhe tipareve kryesore të trashëgimisë kulturore dhe historike të Mesdheut.
Më së pari, gjendet në antikitetin greko-romak, ku paraqiten disa prej botimeve më të hershme në Evropë të autorëve klasikë grekë dhe latinë, përfshirë Homerin, Aristotelin, Herodotin. Strabonin, Ptolemeun, Ciceronin, Plinin Plak, Plutarkun e të tjerë. Pastaj kalon në trashëgiminë bizantine e cila është edhe një prej pasurive më të jashtëzakonshme të Bibliotekës sonë. Nga ekspozita e parafundit e Koleksioneve Veneciane në Bibliotekë, rimerren disa vepra mes shekujve XV dhe XVII ku pasqyrohet roli jetik i Venedikut si qendër e kulturës evropiane të asaj periudhe.

Pastaj, Orienti, i orientuar kryesisht te bota arabe dhe Egjipti, me theksin e vënë te Perandoria Osmane.
Po ashtu, janë edhe dy sesione tematike, ku i pari i kushtohet besimeve monoteiste dhe mënyrës se si, në një truall tejet pagan, zuri vend ideja e një Zoti të vetëm dhe tjetri përfshin vepra të disa prej udhëtarëve më të njohur evropianë të shekujve XVI dhe XVII, çka i jep edhe emrin Gjeografë dhe Udhëtarë.
Në fund, është edhe hapësira e dedikuar për dy detërat që lagin brigjet shqiptare, Adriatiku dhe Joni” thotë për GazetaSi.al nëndrejtoresha e Bibliotekës Kombëtare.
Toçi thotë se kjo ekspozitë ka si synim të dëshmojë se Shqipëria ka qënë në një komunikim të pandërprerë kulturor dhe historik me këtë hapësirë.

“Nëpërmjet kësaj ekspozite, shpresojmë jo vetëm të qartësohet komunikimi i pandërprerë i Shqipërisë me këtë hapësirë të gjerë kulturore, historike dhe socio-antropologjike, por njëkohësisht, të kontribuohet në vetëdijësimin se trashëgimia jonë jo vetëm duhet promovuar, por edhe duhet interpretuar ashtu sikurse është” përfundon Majlinda Toçi.
E hapur me 18 qershor, “Kujtesa e Mesdheut” mirëpret publikun në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë deri më 18 korrik 2025.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.