Politike

Mandatet e anëtarëve të Kushtetueses, 2025 apo 2028? Ja ç’është në lojë (dokumentat)

Nga Gazeta Si - Partia Socialiste në pushtet nuk ka një rekord të mirë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Vetëm gjatë dy viteve të fundit, shumica në Kuvendin e Shqipërisë ka shtyrë për më shumë se një vit zbatimin e disa vendimeve të saj, si psh për votën e emigrantëve apo për sistemin elektoral. Ka edhe vendime të tilla si ai i para dy viteve për mandatin e deputetes Olta Xhaçka apo të tatimit të profesioneve të lira që nuk janë zbatuar akoma.

Një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese

Por jo çdo vendim i Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me Gjykatën Kushtetuese shkon në dëm të ligjshmërisë. I tillë është rasti i fundit për zëvendësimin e anëtarës së dorëhequr të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska, e zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë. Njoftimi i kryeparlamentares Elisa Spiropali se mandati i anëtares së dorëhequr zgjat deri në vitin 2028, nxiti disa reagime që hodhën dyshime për vërtetësinë e qendrimit të Kuvendit, duke pretenduar se mandati i zonjës Toska mbaron në vitin 2025 dhe jo në 2028-ën. Pra, kushdo që do ta zëvendësonte, do ta kryente funksionin për jo më shumë se 1 vit.

A ka një përpjekje nga Kuvendi për të manipuluar afatet kushtetuese të një mandati kushtetues? Të gjitha faktet tregojnë që nuk ka. Dhe kjo shpjegon pse PD dhe deputetë të tjerë nga opozita, që veprojnë të pavarur, nuk e kundërshtuan njoftimin zyrtar të Kryetares së Kuvendit dhe nuk u bënë pjesë e disa pretendimeve mediatike për antikushtetueshmëri të Parlamentit me qëllimin uzurpimin dhe kontrollin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese.

Prandaj, edhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, një nga njohësit më të mirë të Kushtetutës së re dhe përfaqësues ligjor i PD në reformën në drejtësi, shmangu çdo koment për këtë çështje në një intervistë televizive, për të mos i dhënë publikisht të drejtë kundërshtarit politik në një kohë delikate protestash. 

Dokumentat flasin: 2028

Gjykata Kushtetuese ishte ndër institucionet më të prekur nga reforma në drejtësi. Nga nëntë anëtarë para nisjes së vetingut, Gjykata përfundoi në dy anëtarë dhe për disa vite nuk mund të ushtronte funksionet e saj. Kur vendet bosh nisën të plotësohen, në vendimet përkatëse u shkrua shumë qartë se kur mbaron mandati i secilit anëtar dhe nëse anëtarët kishin një mandat të plotë apo një mandat të pjesshëm për efekt të parimit kushtetues të ripërtëritjes së përbërjes së Gjykatës Kushtetuese.

Elsa Toska, e cila ka lënë një vend vakant, pas dorëheqjes, ka mandat të plotë dhe llogaritë që ka bërë Kuvendi i Shqipërisë respektojnë kërkesat kushtetuese dhe ligjore. Mandati i saj mbaron në vitin 2028 dhe jo në vitin 2025, siç u bë zhurmë gjatë këtyre ditëve.

Gazeta Si sjell dokumentin e emërimit në detyrë në vitin 2019, të gjyqtares Toska, ku sqarohet shumë qartë kohëzgjatja e mandatit të saj kushtetues. “Zonja Elsa Toska zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese për vakancën e plotë, të shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë”, thuhet mes të tjerash në vendimin e Parlamentit. Vakancë e plotë do të thotë mandat i plotë 9 vjeçar, që nis në 2019 dhe mbaron në 2028-ën.

Kjo vakancë ishte krijuar pas mbarimit të mandatit të anëtarit Vladimir Kristo dhe sipas një rregullimi kushtetues të përtëritjes së përbërjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të gjithë gjyqtarët e rinj, të cilët nuk zëvendësojnë gjyqtarë kushtetues që ju mbaron mandati në vitin 2017 ose 2020 “emërohen për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit, sipas ligjit”. Ky është edhe rasti i gjyqtares Elsa Toska, që zëvendësoi gjyqtarin Vladimir Kristo, me mandat të mbaruar në vitin 2016. 

Një mandat drejt fundit

Ka një mandat nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që është drejt fundit. Dhe është i vetmi mandat nga të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që përfundon në vitin 2025. Ai është mandati i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj. Sipas një rregullimi tjetër shtesë të vendosur në Kushtetutë për përtëritjen e anëtarëve te Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari i ri kushtetues, që zëvendëson anëtarin me mandat të mbaruar në 2017-ën, qendron në detyrë deri në vitin 2025.

Holta Zaçaj zëvendësoi në vitin 2023 gjyqtaren Vitore Tusha, me mandat të mbaruar që në vitin 2017, kohë në të cilën u shpall edhe vakanca nga Gjykata e Lartë. Procedura në atë kohë dështoi dhe procesi është përsëritur 2 herë të tjera, në vitin 2021 dhe 2022.

Kur u zgjodh në detyrë në janar 2023, zonja Zaçaj dhe çdokush i interesuar ishin në dijeni të përfundimit të mandatit të saj në vitin 2025, pavarësisht se kur ky gjyqtar që zëvendësonte Vitore Tushën do ta fillonte detyrën. Dhe për këtë flasin sërish dokumentat.

Gazeta Si sjell vendimin e Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e zonjës Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ku në pikën 1 të vendimit thuhet, mes të tjerash, se “zonja Zaçaj ka mandat të pjesshëm deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025”. 

Çfarë është në lojë?

Të dy dokumentat, si për emërimin e gjyqtares së dorëhequr Elsa Toska, edhe për emërimin e gjyqtares Holta Zaçaj, njëkohësisht Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, tregojnë përtej çdo dyshimi afatet e kohëzgjatjes së emërimit të tyre.

Këto dokumenta mbyllin çdo debat mbi këtë çështje, por ka diçka që mbetet akoma e paqartë dhe lë shumë skenarë të hapur në Gjykatën Kushtetuese. Askush sot nuk i di arsyet e dorëheqjes së gjyqtares kushtetuese Elsa Toska.

Të paktën, askush nuk i ka pohuar ato në publik, duke u dhënë zë shumë dyshimeve për vendimet e pritshme në Gjykatën Kushtetuese. Institucioni më i rëndësishëm i vendit është përfshirë nga një valë informacionesh që qarkullojnë më portale dhe rrjete sociale, të cilat vendosin në dyshim integritetin moral të anëtarëve dhe këshilltarëve ligjorë në Gjykatën Kushtetuese.

Është rastësi që gjithçka po ndodh në të njëjtën kohë? Thuhet se aty ku luhet loja e pushteteve nuk ka asgjë të rastësishme! Për ta vertetuar këtë, axhenda e Gjykatës Kushtetuese ka çështje konkrete dhe për të cilat duhet të merren vendime të shpejta.

Në 19 nëntor, Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë, nëse masa e arrestit ndaj kreut të opozitës është apo jo kushtetuese, vendim prej të cilit varet liria e Sali Berishës. 

Po ashtu, Gjykata është vënë para një zgjedhje tjetër me shumë rëndësi. Biznesmeni Pëllumb Gjoka, të cilit qeveria i ka dhënë statusin e investitorit strategjik në vitin 2021, kërkon shpalljen e pavlefshme të bisedave në aplikacionet e koduara SKY/ECC. Bazuar edhe në këto biseda, SPAK, e ka akuzuar atë si pjesë të një organizate kriminale, që kryente vrasje dhe pengmarrje.

Gjatë ekzistencës së saj, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendime me rëndësi të jashtëzakonshme politike, sociale dhe ekonomike, por rëndësia e këtyre dy vendimeve të reja të pritshme, tejkalon shumë prej tyre për nga implikimi i shumë faktorëve brenda dhe jashtë institucioneve. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë