Pas Muzeut Historik Kombëtar dhe Akademisë së Shkencave filmi dokumentar “Tashko & Koço, një love story shqiptar”, u shfaq mbrëmjen e së dielës edhe në Teatrin Andon Zako Çajupi në Korçë.
Shikuesi për herë të parë ra në kontakt me këtë vepër të re për çiftin e shquar të artistëve, Tashko&Koço, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Eno Koço, ku merrte pjesë e gjithë familja e tij e madhe e përbërë nga artistë me emër edhe jashtë shtetit.
Filmi me regji nga Ylli Pepo sjell në ekran gjithë atmosferën ku lindi dhe arriti kulmin dashuria e tyre.
Dashuria e tyre “qëndiset” përmes episodeve, ku ndërthuren edhe intervistat e bashkëkohësve që sjellin çaste emocionuese të një vlerësimi e adhurimi të përjetshëm.
“Filmi bazohet mbi letërkëmbimin e tyre, është filmi i parë epistolar. Përbën një risi për botën shqiptare një film i tillë”, shprehet regjisori Ylli Pepo për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “Tefta shkëmbente letra edhe me shoqet e saj ku përpos profesionalizmit dallohet edhe karakteri i saj njerëzor”.
Tefta e Kristaqi dominuan në muzikën shqiptare, të viteve ’30-‘40, duke i ngritur zemrat e të gjithëve me interpretimet e tyre brilante nga Verdi, Bethoven, Vivaldi deri te ngritja e muzikës popullore shqiptare në majat e muzikës së qytetëruar shqiptare.
Regjisori Pepo zbulon për Gazetën “Si” se Tefta ishte një atdhetare shumë e madhe, duke refuzuar edhe oferta nga teatro prestigjioze në botë.
“Nga letërkëmbimet është zbuluar që Tefta ka pasur ofertë për të kënduar në Teatrin Metropolitan në New York, por zgjodhi baltën e Myzeqesë. Zgjodhi Shqipërinë”, vijon më tej regjisori.
Sipas skenaristes Anxhelina Xharra “Tashko & Koço” është një dokumentar, që rreshton faktet se arti shqiptar u ngjiz nga talente kalibri të njohur edhe në botë, Paris, Londër, Romë, Kalabri, deri në Beograd.
“Të mos harrojmë vitet e vështira kur jetuan protagonistët e artit, Tashko & Koço… Tefta një vit para pushtimit italian jep koncerte në qytetet kryesore të Shqipërisë, ku mori edhe sëmundjen, që e largoi aq shpejt nga ne, ndërsa Kristaqi në këtë kohë, ndërsa vazhdonte studimet në Milano, jepte koncerte në Romë e Kalabri”, thotë skenaristja për Gazetën “Si”.
Ikona e muzikës lirike Tefta Tashko që për fat të keq u shua shpejt, në moshën 37-vjeçare, në këtë dokumentar vjen më e gjallë se kurrë edhe pas 100 vjetësh dhe shpaloset edhe vizioni i saj.
Në letërkëmbimin dashuror të dy artistëve nuk mungojnë as përshtypjet e tyre për Tiranën.
“Më ka marrë malli shumë edhe për Tiranën, që kur jemi aty e shajmë, por kur jemi jashtë, përgjërohemi për të…”, i shkruan Kristaqi Teftës mes të tjerave.
Skenaristja ndër të tjera thotë se ky film duhet të marrë çmim Republike nga Presidenti.
“Duke qenë dhe kritike arti, pavarësisht që jam autore kryesore do t’i propozoja Presidentit, t’i japë Çmim Republike filmit kushtuar këtyre dy artistëve të mëdhenj klasikë shqiptarë, që patën jetë të shkurtër, por ndriçuan si meteorë në qiellin e artit shqiptar të të gjitha kohërave!”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.