Skena politike në Ballkan është tronditur sot nga një letër e Sllovenisë dërguar Bashkimi e Europian, e cila i kërkonte Brukselit përfundimin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe Bosnjës Hercegovinë. Gjithçka filloi me artikullin e portalit të Sarajevës “Politicki.ba”, i cili njoftoi se gjatë presidencës, Sllovenia do të angazhohet në favor të ndryshimit të kufijve të Serbisë dhe Kosovës sipas planit të presidentëve Vuçic-Thaçi, i cili ishte në opsion vitin që shkoi derisa Donald Trump ishte presidenti i SHBA-së, por ai u kundërshtua fuqimisht nga Gjermania.
Sipas mediave në Bosnjë dhe Hercegovinë, kryeministri slloven Janez Jansha i ka dorëzuar presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, një dokument mbi prioritetet e Presidencës sllovene të BE-së, në të cilat, janë përcaktuar udhëzimet mbi “shpërbërjen përfundimtare të ish-Jugosllavisë”.
Me këtë letër, siç shkruan edhe mediat serbe “B92”, pretendohet se Jansha donte të informonte kreun e KE-së për një nga prioritetet e Presidencës së Bashkimit Europian, të cilin Sllovenia do ta marrë nga 1 korriku i këtij viti.
Zëdhënësi i Komisionit Europian dhe i shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Europian Peter Stano, ka thënë se zyrtarët e bllokut europian nuk janë në dijeni për ndonjë dokument të dërguar nga kryeministri i Sllovenisë Janez Jansha, për të cilin kanë raportuar mediat në Ballkan, e që supozohet se flet për ndryshimin e kufijve.
“Ne nuk jemi në dijeni për ndonjë dokument të tillë dhe nuk mund të komentojmë spekulimet rreth çështjeve të ngritura në media”, ka thënë zyrtari i BE-së, duke shtuar se është në dijeni për këto shkrime në media por nuk kanë çfarë të thonë për këtë temë në mënyrë specifike, pasi nuk e ka parë një dokument të tillë. Sa i përket idesë për ndryshimin e kufijve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ky zyrtarë ka thënë se pozicioni i BE-së është i qartë dhe nuk ka çfarë të ndryshohet.
“Mund të themi se, sa i përket kufijve pozicioni i BE-së është i qartë dhe në çështjen e kufijve nuk ka çfarë të ndryshohet. Ne duhet të punojmë drejt bashkëpunimit rajonal, pajtimit dhe drejt zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura në rajon, pa hyrë në fushat e rrezikshme, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e BE-së”, ka thënë ky zëdhënës i Bashkimit Europian.
Idetë për mundësinë e ndryshimit të kufijve në Ballkan kishin lindur në vitin 2018 kur flitej se presidenti i atëhershëm i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçic po punojnë për një marrëveshje që mund të përfshinte edhe shkëmbimin e territoreve.
Këto ide patën hasur në kundërshtime të forta të Gjermanisë dhe disa shteteve tjera të BE-së, ndonëse disa prej tyre kanë shprehur gatishmëri që të diskutohet edhe për ide të tilla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.