Ka ndodhur

Dogjën një magazinë dhe kanosën me vrasje efektivët, arrestohen dy të rinj në Shkodër

Nga Gazeta Si - Policia e Shkodrës ka vënë në pranga dy të rinj, pasi në fshatin Fshat i Ri, Vau i Dejës kanë djegur një magazinë me bazë ushqimore dhe vegla pune.

"Gjatë rrugës për në vendin e ngjarjes, shërbimet e Policisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara për 2 shtetas si autorë të dyshuar të ngjarjes, kanë lokalizuar në fshatin Rranxa, një automjet me të cilin po qarkullonin 2 shtetas dhe i kanë bërë shenjë për ndalim. Në momentin e ndalimit, shtetasit A. S. dhe P. D. kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë kanosur për vrasje punonjësit e Policisë, por falë reagimit të punonjësve të Policisë, ata janë neutralizuar dhe arrestuar në flagrancë", thuhet në njoftimin e policisë.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit A. S., 26 vjeç dhe P. D., 26 vjeç, të dy banues në Bushat, Shkodër.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë djegur një magazinë me bazë ushqimore dhe vegla pune, në Fshatin e Ri, në Vaun e Dejës, në pronësi të shtetases Z. Gj.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të kryera në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë