Gazeta Si – Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik ka mbajtur një fjalim skandaloz në Asamblenë Kombëtare të këtij entiteti gjatë diskutimit për mos njohjen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës dhe ndalimin e aktivitetit të Gjykatës dhe Zyrës së Prokurorit të Bosnjës, si dhe të Agjencisë për Hetime dhe Mbrojtje (SIPA) në këtë territor.
Gjatë fjalimit të mbajtur Dodik ka sulmuar edhe gjyqtarin Ledi Biankun, i cili është propozuar nga ndërkombëtarët si anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Bosnje Hercegovinës. Ai ka përdorur termin që përdorin serbët si fyerje “Siptari” ndaj Biankut.
“Çfarë doni, na jepni tre gjyqtarë, njëri prej të cilëve është “shiptar”, ju shkon në mendje. Nuk më intereson. Nuk kam nevojë të shpjegoj se çfarë do të thotë për serbët kur dikush nga Shqipëria, “Shiptari”, vjen të na thotë se çfarë është e drejtë. Ju lutemi mos na e bëni këtë. Sigurisht që mendoj dhe e di që ka mendime të ndryshme, jam i bindur se ka shumë që thonë se nuk i kemi zbatuar as vendimet e mëparshme”, tha Dodik gjatë fjalës së tij.
Në vitin 2021 Ledi Bianku, ish-anëtar i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Bosnje Hercegovinës. Presidenti i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Robert Spano ka informuar Presidentin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje Hercegovinës, Mato Tadiç për emërimin e Ledi Biankut si gjykatësin e ri ndërkombëtar të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje Hercegovinës.
Emërimi i Biankut në këtë post vjen në bazë të rregullave që përcakton kushtetuta e Bosnje Hercegovinës. Gjykata Kushtetuese Bosnje Hercegovinës ka 9 anëtarë, katër prej të cilëve zgjidhen nga Dhoma e Përfaqësuesve të Federatës, dy nga Asambleja e Republikës Serbe, ndërsa tre të tjerë zgjidhen nga Presidenti i Gjykatës Evropian për të Drejtat e Njeriut pas konsultave me Presidencën boshnjake.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje