Analize

Dobësimi i rendit të drejtuar nga SHBA dhe rreziqet që na vijnë nga një botë në kaos

Nga Joschka Fischer* – Kur gjatë një fjalimi të mbajtur në Bundesdtag më 27 shkurt 2022, kancelari gjerman Olaf Scholz e përshkroi pushtimin rus të Ukrainës si një “Zeitenwende” (pikë kthese në histori), rreziku i përhapjes së luftës ishte tashmë shumë i dukshëm.

Por a e parashikoi ndokush që ne do të ishim dëshmitarë të një zinxhiri luftërash rajonale, apo që tensionet midis fuqive të mëdha, do të fillonin të rriteshin thuajse çdo ditë? Mjerisht, jemi pikërisht në një situatë të tillë. Lufta e paprovokuar e agresionit e presidentit rus Vladimir Putin, ishte thjesht dominoja e parë që u rrëzua.

Së fundmi, Hamasi kreu një sulm brutal terrorist mbi Izraelin nga Gaza, duke vrarë 1.400 izraelitë – shumica prej tyre civilë – dhe duke rrëmbyer më shumë se 200 të tjerë. Si ka mundësi që u realizua një goditje e tillë vdekjeprurëse kundër fuqisë më të madhe ushtarake dhe me shërbimet sekrete me efektive në Lindjen e Mesme?

A ka të ngjarë që një organizatë terroriste si Hamasi ta ketë arritur vetë një sukses të tillë?

Reflektoni pak mbi saktësinë e sulmit dhe të gjithë planifikimin që i parapriu. Është e qartë se synimi nuk ishte thjesht të organizohej një masakër e pamëshirshme ndaj civilëve izraelitë, duke mos kursyer as gjyshet dhe foshnjat.

Sulmi synonte të rihapte plagët e traumës kolektive hebraike, duke ripërsëritur mizoritë e Holokaustit, përpjekjes së dikurshme e nazistëve për të shfarosur të gjithë popullin hebre. Mesazhi që përcolli sulmi i beftë për hebrenjtë, është se ata nuk duhet të ndjehen asnjëherë të sigurt, madje edhe me gjithë epërsinë ushtarake që ka Izraeli.

Natyrisht, Hamasi nuk është i vetmi në promovimin e këtij qëllimi. Prandaj ne duhet të pyesim nëse pas sulmit qëndron edhe ndonjë shtet. Për arsye të dukshme, dyshimet kryesore kanë rënë mbi Iranin. Sidoqoftë e vërteta, fakti është se sulmi i 7 tetorit e ka vendosur të gjithë Lindjen e Mesme në pragun e një lufte të madhe.

Duke qenë në lojë vetë ekzistenca e Izraelit, në valle janë futur në mënyrë të pashmangshme edhe Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Por edhe fuqitë e tjera të mëdha. Kështu raportohet se Kina (një importuese kryesore e hidrokarbureve të Iranit) ka dërguar në rajon disa anije luftarake.

Nga ana e tij, Izraeli nuk ka zgjidhje tjetër veçse të hakmerret ushtarakisht për të ripërtërirë strategjinë e tij parandaluese, edhe pse kjo luftë do të kushtojë shumë më tepër jetë civilësh, dhe do ta thellojë më tej urrejtjen midis dy popujve. S’ka asnjë dyshim se ata që planifikuan operacionin e 7 tetorit u mbështetën tek ky skenar.

Dhe kjo sugjeron sërish se Hamasi nuk veproi i vetëm. Një paralele e habitshme midis luftërave në Ukrainë dhe Gaza, është se që të dyja përfshijnë një luftë për vetë mbijetesën e një shteti-komb ekzistues. Por ka një element tjetër po aq të rëndësishëm:të dyja konfirmojnë se jemi dëshmitarë të shfaqjes së një rendi të ri botëror.

Ndërsa Perëndimi po qëndron në krah të Izraelit, fuqitë që drejtohen nga regjime autoritare, si Rusia dhe Kina, po rreshtohen në mënyrë oportuniste në anën tjetër, siç është pjesa më e madhe e Jugut Global, për shkak të kujtimeve të tij traumatike nga kolonizimi.

Perëndimi nuk mund ta pranojë dinamikën “ne kundër të tjerëve”, e cila u bë shumë e dukshme me sulmin e Putinit ndaj Ukrainës. Në planin afatgjatë, një polarizim i tillë gjeopolitik do t’i lërë të gjithë në pozita më të këqija. Por ndryshimi i situatës, do të kërkojë përpjekje diplomatike tejet të mëdha.

Duke qenë një pjesë thelbësore e rendit të ri botëror, Jugu Global kërkon njohje të peshës së tij, si dhe një vend në tryezën e vendimmarrjeve të mëdha. Përveç luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, ekziston edhe kërcënimi në rritje i konfliktit ushtarak në Detin e Kinës Jugore apo Ngushticën e Tajvanit, ku do të përfshiheshin drejtpërdrejt dy superfuqi:SHBA-ja dhe Kina.

Nën këtë sfond, rrezikojnë të harrohen luftëra si ajo midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakh. Historikisht, përpjekjet për të ndryshuar ekuilibrin global të fuqisë, apo për të rishikuar dhe imponuar një rend të ri ndërkombëtar, nuk kanë ndodhur asnjëherë pa përdorur dhunën.

Dhe kjo gjë e bën edhe më shqetësues tonin gjithnjë e më agresiv të fuqive të mëdha ndaj njëra-tjetrës. Bota pas vitit 1945 e Pax Americana, duket më e prekshme se kurrë më parë. Në vend se të presin për të parë nëse në fund ky rend do të vetë-shpërbëhet, sfidantët kryesorë janë shumë të zellshëm në shfrytëzimin e dobësive të tij të dukshme.

Përderisa ekziston ende një komunitet ndërkombëtar, duket se është zvogëluar dukshëm gatishmëria e tij për ta ruajtur status quo-në. Në kushtet aktuale, është e vështirë të mos të të shkojë mendja tek viti 1914, kur ngjarjet u rrokullisën shumë shpejt dhe nxitën fillimin e Luftës së Parë botërore.

Nderi dhe ambicia e shteteve, kanë një përparësi të dukshme ndaj arsyes, e cila është gjithsesi skllave e pasioneve fetare dhe nacionaliste. Në trazirat e sotme, ne po shohim sërish shpalosjen e një botë pa rregulla. Ata që tallen me presidentin amerikan Joe Biden për moshën e tij të madhe, duhet të mendojnë se çfarë do të ndodhte nëse kriza e fundit e Lindjes së Mesme, do të shpërthente pa një udhëheqje kaq të kujdesshme dhe me përvojë në Shtëpinë e Bardhë. Unë nuk kam dyshim se bota do të ishte një vend më i pasigurt dhe më i rrezikshëm se sa është aktualisht. “Project Syndicate” Përshtati Gazeta Si

*Joschka Fischer, ish-Ministër i Jashtëm dhe zëvendës/kancelar i Gjermanisë në vitet 1998-2005.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë