Treg

Dobësimi i dollarit po forcon kriptomonedhat

Bitcoin po tenton të rimëkëmbët pas një goditje nga ajo që u quajt si “Dita e çlirimit”, kur Donald Trump vendosi tarifa për gjysmën e botës.

Kriptomonedha më e madhe në botë po tregtohet me 87.6 mijë dollarë me një rritje 3% brenda pak orëve.
Ethereum (ETH) gjithashtu pati një lëvizje pozitive, duke u tregtuar me 1,640 dollarë, me një rritje prej 1.63% gjatë ditës së fundit.

Rimëkëmbja e Bitcoin përkoi me një rritje tjetër edhe të çmimit të arit, i cili u ngjit në një rekord të ri, duke theksuar më tej kërkesën e investitorëve për asete të perceptuara si strehë të sigurta dhe të mbrojtura nga inflacioni. Ari arriti një rekord prej 3.385 dollarësh gjatë tregtimit të hershëm aziatik, duke fituar gati 2% në 24 orë. Megjithatë, disa analistë kanë raportuar së fundmi të dhëna që tregojnë një korrelacion më të fortë midis Bitcoin dhe aksioneve të teknologjisë sesa me arin gjatë tre viteve të fundit, duke paralajmëruar kundër etiketimit definitiv të Bitcoin si thjesht “ari digjital”.

Sipas ekspertëve një dollar më i dobët po ndikon për mirë tek Bitcoin që tashmë po perceptohet si një aset me rëndësi.

Ndërsa Bitcoin ndonjëherë ka lëvizur historikisht në mënyrë të kundërt drejt një dollari të dobësuar, shpesh parë si aktive konkurruese të strehës së sigurt, rritja aktuale sugjeron një “ndryshim regjimi” të mundshëm ku roli i Bitcoin si një rezervë vlere po fiton rëndësi, duke e shkëputur atë nga korrelacionet tradicionale me stoqet e teknologjisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë