Policia e Durrësit njofton se ka arrestuar një person, pasi gjatë kontrollit i është gjetur armë zjarri, por edhe kallëpe tritoli, si dhe granata.
Policia thotë se në pranga ka rënë Nazif Kolgjini, 47 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Drejtimi automjeti në mënyrë të parregullt”.
Kolgjini dëshironte që të shiste armatimin që mbante me vete.
“Shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur ‘Mbikalimi i hekurit’, në Sukth, Durrës, kanë ndaluar shtetasin N. K., dhe gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 kallëpe tritol dhe 10 kapsolla detonatore të cilat ky shtetas do i shiste kundrejt fitimit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kontrollet kanë vijuar edhe në banesën e tij në Kukës, ku shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri, 3.5 kallepë tritol, 20 granata ofensive dhe 20 ndezësa.
Policia thotë se në bashkëpunim me Prokurorinë, Strukturat hetimore të DVP Durrës, po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




