Për banorët e Dibrës, ‘minutat e famës’ kur qeveritë u thurrnin lavde këtyre qershive të tyre, tani vlejnë hiçgjë përballë prodhimit të pashitur që ‘u përplas’ në fytyrë vit pas viti humbje të konsiderueshme.
Me t’iu afruar qytetit të Peshkopisë, parcelat me qershi të rrëshqasin para syve dhe të shoqërojnë gjatë gjithë rrugës teksa furgoni veç sos tatëpjetën.
Bulevardi që është pikëtakimi i të gjithëve, këto ditë gëlon nga të njëjtat muhabete.
Fermerë që ankohen për qershitë e pashitura, për mungesën e pikave të mëdha të grumbullimit e për faktin që nuk po arrijnë dot t’i shesin as me çmim minimal prej 30 lek/kg.
Mandej mes tyre ka përherë një zë që trazon diskutimin dhe gjithë ankesat e mësipërme ia atribuon qeverisë me fjalinë e përhershme se ‘ajo nuk çan krye për fermerët’.
Të tjerët pohojnë heshturazi këtë fjali dhe marrin rrugët drejt shtëpive, me barrën e qershive të pashitura që po kalben në parcela dhe borxhet që mbetën sërish pa u larë, edhe këtë vit.
Panorama e bukur e pemëve me kokrra të kuqe plot, është veç fasadë.
Pas saj, qëndrojnë ora të tëra mundi e djerse të atyre njerëzve punëtorë e të thjeshtë të cilët këtë vit dukeshin se i ishin ‘dorëzuar’ fatit dhe gati në revoltë pohonin për Gazetasi.al se do i linin të kalbeshin në pemë. Të tjerë, thonin që do i prisnin fare.
“Qershia në Dibër tani shitet 30 lekë, sa një kilogram kripë. Nga 20 kuintal qershi, kam shitur vetëm tre. Dal në qytet dhe pastaj kthehem sërish në shtëpi me qershitë e pashitura me vete. Këtë vit do i pres të gjitha pemët. U bë vite që nuk po dalim dot nga kjo situatë dhe asnjë nuk po mendon për ne”, shprehet për Gazetasi.al Shaqir Nuzi, një fermer i kësaj zone.
Ai pretendon se ulja drastike e çmimit bëhet nga tregtarët e mëdhenj, që, sipas tyre, bllokojnë eksportin për ta marrë prodhimin me çmimin më minimal.
“Tregtarët nga Tirana e Durrësi e blejnë qershinë në Dibër me 30 lek për kg, ndërsa në tregjet e pakicës e shesin me 180 lek/kg. Por as ata tashmë nuk po e blejnë më”, thotë ai më tej për Gazetasi.al pa harruar të shtojnë fjalinë tipike se "qeveria po tallet me bujqësinë e kësaj zone".
Trotuaret ndanë disa rrugëve kryesore rreth qytetit janë të mbushura plot me fermerë që presin të ndalosh një hop e të blesh ca qershi në arkat e tyre të radhitura pas njëra-tjetrës.
Por banorët duket se janë tejngopur e fermerët i kanë humbur krejt shpresat.
Pesticidet e shtrenjta dhe mungesa e punëtorëve, ‘barrë’ e shtuar
Në Dibër këtë vit zor se gjen punëtorë për të vjelë qershi.
Të paktët që kanë ngelur, kërkonin 2500 lekë për gjithë ditën e punës, gjë që për fermerët të cilët e shesin me çmim minimal, nuk ia vlen barra qiranë.
“Gjatë gjithë vitit duhet të merremi me spërkatjen. Çmimet e pesticideve kanë qenë në stratosferë. Dibra është një nga prodhuesit dhe furnizuesit kryesorë në vend me qershi. Janë rreth 400 ha të mbjella ne rang qarku vitet e fundit dhe mbi 3 mijë ton prodhim.
Por edhe në këtë superprodhim nuk ka një qendër grumbullimi dhe treg për t’i shitur. Qeveria duhet të marrë masa. Duhet të krijojë një fabrikë, të ndërmarr një hap dhe jo vetëm t’u shtojë barrën fermerëve”, thotë për Gazetasi.al Faik Qoka, një fermer.
Ai shton se të ngjashmit me të, kanë pritur këtë sezon për të larë ndonjë borxh e për të mbledhur ca para për shkollimin e fëmijëve në kryeqytet.
“Jo vetëm që nuk po fitojnë por vetëm po humbin. Kjo është alarmante. Janë të gjithë në të njëjtën situatë. Njerëz të varfër që po varfërohen më tej”, vijon ai mandej.
Prerja e pemëve, revoltë në heshtje
Shumica e banorëve me të cilët foli Gazetasi.al thonin që kishin në plan të prisnin pemët.
Të paktën e dimë që nuk i kemi dhe nuk na ngel merak, pohonin ata, duke thënë se Dibra e qershive shumë shpejt mund të mos njihet më kështu.
Kjo ishte një revoltë e brendshme, e akumuluar prej vitesh që duket se ka kulmuar këtë sezon me ndërmarrjen e këtij hapi që ata ishin përpjekur prej kohësh ta shmangnin.
“Alergjia” nga bashkëpunimi, fermerët humbasin shansin për kontrata
Ekspertët e bujqësisë gjithmonë e kanë ngritur me shqetësim faktin që fermerët nuk bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Nëse do të gjenin gjuhën e përbashkët mund të bëheshin kontrata, të cilat do të garantonin shitje të sigurt.
Ata thonë se problemi lidhet edhe me mungesën e të dhënave të sakta mbi historikun e prodhimit.
Duke mos pasur këtë bazë të dhënash, fermerët nuk kanë siguri për prodhimin e vitit pasardhës dhe nuk mund të bëjnë kontrata paraprake.
Një rast që mund të ishte një histori suksesi, nëse do të ishte trajtuar siç duhet ishte rasti për qershinë e Dvoranit të Korçës para disa vitesh, e cila u kërkua nga tregtarët izraelitë dhe palestinezë të cilët morën dy kamionë me nga 30 tonë qershi.
Pas kësaj, ata kërkuan që të shihej mundësia e kontratës, sepse zona ka prodhim të konsiderueshëm, por vunë si kusht që të gjendej një grumbullues, në mënyrë që negociata të mos bëhej familje më familje.
Dolën dy grumbullues që të bënin këtë proces, por askush nga fshati nuk ua shiti, duke i kthyer pas me fjalën se do ta shisnin vetë sepse në atë mënyrë do të fitonin më shumë.
I njëjti mentalitet ndihet edhe mes banorëve të Dibrës, i cili kombinuar me faktorë të tjerë po e përmbys traditën e Dibrës të qershive që për shumë shpejt mbase do të mbeten vetëm histori…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.