Ka ndodhur

Do të lahen muret, Tuneli i Krrabës do të mbyllet gjatë natës për një muaj

Për shkak të pastrimit dhe larjes së mureve të tij anësorë, qarkullimi në tunelin e Krrabës do të vijojë të bëhet vetëm me një sens.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, njofton se vendimi vlen për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe se do të hyjë në fuqi përgjatë orëve të natës në 30 ditët në vijim.

Më konkretisht, kufizimi i lëvizjes do të fillojë në datën 16 maj, nga ora 21:00 deri në 06:00. ARRSH thotë se larja do të bëhet gjatë natës, pasi ky aks ka fluks të madh automjetesh.

“Duke pasur parasysh fluksin e madh të mjeteve që qarkullojnë në këtë objekt, rreth 15 mijë mjete në 24 orë, procesi i larjes do të realizohet gjatë orëve të natës, deri në mëngjes. Gjatë këtij orari do të punohet për larje në njërin tub, duke lënë të lirë për qarkullim tubin tjetër. Ky proces do të përfundojë brenda një  periudhe  30 ditore”.

Në njoftim thuhet se kur të punohet në njërin tub, në tubin tjetër do të vijojë qarkullimi i automjeteve.

“Është hartuar Plani i Menaxhimit të Trafikut, i cili parashikon, që gjatë natës, kur në njërin tub të punohet për larjen, të qarkullohet në tubin tjetër, me të dyja senset e lëvizjes, me shpejtësi të reduktuar dhe në prezencën e  patrullave të Policisë Rrugore nga të dy anët e tunelit (Tiranës dhe Elbasanit)”.

ARRSH njofton të gjithë drejtuesit e mjeteve se janë marrë masat për zbatimin e planit të miratuar dhe i udhëzon të zbatojnë sinjalistikën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë