Politike

Parku i Divjakës me pagesë. Braçe kundër: Bashkia u kërcënua nga zyrtarë të Ministrisë së Turizmit

Projekti për të vendosur një tra në Parkun e Divjakës që do të lejojë kalimin me pagesë për në brendësi të parkut ka shkaktuar përplasje mes banorëve dhe Policisë të enjten.

Deputeti i PS Erion Braçe tha se zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit kanë telefonuar zyrtarë të Divjakës dhe u kanë thënë se ‘do të fluturojnë’ nëse e pengojnë këtë projekt.

 “Ka një kakofoni që bëhet për interesa politike. Banorët e bashkisë së Divjakës përjashtohen nga pagesa e këtij detyrimi por kjo nuk ka rëndësi përderisa të tjerët ndalojnë të kalojnë lirshëm. Për më të tepër që po vendoset në një vend që nuk garanton sigurinë rrugore. Kjo është e paligjshme. Unë do të ndërmarr çfarëdolloj nisme që ta rrëzoj këtë projekt.  Zyrtarët e bashkisë së Divjakës janë telefonuar dhe kërcënuar se fluturojnë nëse e ndalon atë traun. Ata e kanë pezulluar përmes një vendimi atë kabinë atje, që është një kioskë. Zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit kanë telefonuar zyrtarë të Divjakës dhe u kanë thënë se ‘do të fluturojnë’ nëse e pengojnë ndërkohë që ata kanë qenë në të drejtën e tyre që kërkonin që të kishte leje ndërtimi. Zyrtarët kanë shkuar pranë vendit ku po bëhej ky ndërtim pa leje. Janë telefonuar nga zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe janë kërcënuar”, tha Braçe për Report “Tv”.

Edhe pse hodhi akuza ndaj ministrisë, Braçe fajësoi gjithashtu protestën duke e cilësuar politike dhe të nxitur nga PD-ja, nisur edhe nga reagimet e këtyre të fundit nga deputetja e zonës Ilda Dhori e deri tek kryetari i PD-se se Divjakës.

Braçe e fokusoi vëmendjen vetëm tek projekti, që sipas tij është i paligjshëm dhe i paarsyeshëm.

“Unë distancohem nga ajo situatë e dhunshme atje që organizohet nga ana e këtij kryetarit të PD së Lushnjës që vjen në Divjakë dhe organizon gjëra të tilla. Divjaka është qytet i qetë, njerëzit janë në punë.  E gjithë kjo situatë duhet të zgjidhet në rrugë ligjore. Kjo që po bëhet me këtë projektin është e paligjshme. Ka disa rrugë në këtë park që janë kombëtare, ajo nga autostrada, në Divjakë dhe pastaj në plazh. Janë 24 km rrugë kombëtare që garantojnë aksesin jo vetëm të divjakasve, por edhe të gjithë të tjerëve për në plazhin e Divjakës. Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Është e paarsyeshme që një rrugë e tillë kombëtare të bëhet me pagesë. Kjo që po bën Ministria e Turizmit, në bashkëpunim me ARRSH është pikërisht vendosja e një takse për të kaluar në rrugë dhe për të shkuar në det. Është vendosur mu në mes të rrugës dhe jo mu në mes të parkut. Ajo rrugë aty është e vetmja mënyrë se si qytetari mund të aksesojë bregdetin”, tha Braçe


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë