Lëvizja Socialiste për Integrim i ka kushtuar një konference shtypi deklaratës së kryeministrit Edi Rama “për ta çuar LSI për skrap”.
“…Duke u marrë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, me anëtarët, me simpatizantët, me votuesit e saj të shumtë, Edi Rama nuk mund ta fshehë dështimin e tij në qeverisje, nuk mund të fshehë realitetin e dhimbshëm, varfërinë dhe korrupsionin që e ka pllakosur dhe që po e mban të mbërthyer për fyti Shqipërinë…” tha zv-kryetari i LSI-së, Luan Rama. Sipas tij, Edi Ramës nuk ia ka fajin LSI-a.
“Edi Ramës nuk ia ka fajin LSI-a, por Edi Ramës ia ka fajin ligësia, ligësia e shprehur edhe përmes gjuhës së tij të urrejtjes dhe të armiqësisë, për të përveçuar një pjesë të shqiptarëve e për të ndërsyer ndaj tyre pjesën tjetër.
Kjo është filozofia politike, ky është karakteri i Edi Ramës, duke qenë se tha që më 25 prill shqiptarët do të zgjedhin karakterin.
Po, Edi Rama nuk ka probleme me LSI-në, Edi Rama ka probleme me demokracinë. Edi Rama ka probleme me integrimin evropian të Shqipërisë, të cilin e ka zënë peng, e ka bllokuar dhe sabotuar.
Edi Rama nuk ka probleme me LSI-në, Edi Rama ka probleme me Shqipërinë, ndaj Shqipëria mezi pret 25 prillin për të larë njëherë e mirë problemet dhe hesapet me Edi Ramën”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.