Ka ndodhur

Do shiste një automatik në Vlorë, arrestohet 17-vjeçari, kishte fshehur armën në bagazhin e taksisë!

Nga Gazeta ‘Si’– Një 17-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Vlorës, pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri me vete.

Blutë e Vlorës bëjnë me dije se dyshohet se adoleshenti do ta shiste armën e zjarrit tip automatik.

Gjithashtu është shpallur në kërkim 19-vjeçari që dyshohet se ka bashkëpunuar me 17-vjeçarin, për të siguruar armën e zjarrit.

17-vjeçari u arrestua në aksin rrugor “Fier-Vlorë”. Ai u kap në flagrancë dhe u vu në pranga, pasi gjatë kontrollit në bagazhin e një automjeti taksi, të cilin ai e kishte marrë për të udhëtuar drejt Vlorës, mes sendeve të tij personale, u gjet një armë zjarri automatike dhe dy krehra.

Në vijim të veprimeve për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi E. Gj., 19 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me 17-vjeçarin, për të siguruar armën e zjarrit, me qëllim shitjen në qytetin e Vlorës.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. Gj., u gjet një krehër arme, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me armën e zjarrit (pushkë automatike) dhe dy krehrit që transportonte 17-vjeçari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë