Nga Gazeta ‘SI’- Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar përfundimisht dhënien e licencës për subjektin më të ri financiar në vend, të emërtuar Banka Jet sh.a.
Ky institucion i ri, që do të jetë tërësisht digjital, ka marrë autorizimin për të kryer një gamë të gjerë shërbimesh që fillojnë me pranimin e depozitave dhe kursimeve nga publiku e deri te dhënia e të gjitha formave të kredisë, ku përfshihen ato për nevojat konsumatore dhe kreditë hipotekore për blerje banesash.
Përveç shërbimeve tradicionale, banka do të operojë me instrumente moderne të pagesave duke emetuar karta debiti dhe krediti, çeqe, si dhe duke mundësuar pagesat përmes celularit dhe emetimin e parasë elektronike.
Licenca i lejon bankës të ofrojë shërbime që mundësojnë depozitimin ose tërheqjen e parave fizike nga llogaritë, ekzekutimin e transfertave të ndryshme, dërgesat e parave, si dhe shërbime të reja të informimit apo inicimit të pagesave. Gjithashtu, Banka Jet do të jetë aktive në tregun e këmbimit valutor dhe në tregtimin e instrumenteve të tregut të parasë si çeqet apo certifikatat e depozitave për llogari të saj ose të klientëve.
Pas këtij vendimi që hyn në fuqi menjëherë, banka e re është e detyruar të njoftojë zyrtarisht autoritetet mbikëqyrëse dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave për datën e saktë se kur do të nisë punën me qytetarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje