Gazeta Si – Një 36-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi aksidentoi një ditë më parë me makinë një punonjës të policisë rrugore, i cili ishte ngarkuar të hapte rrugën për kalimin e eskortës së kryeministrit Rama në një aktivitet.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e të martës në kryeqytet në zonën e Freskut, ku polici mbeti i plagosur, pasi u përplas me makinë nga Isnid Nokshiqi, i cili refuzoi t’i përgjigjej urdhrit të ndalimit.
I arrestuari, përveçse ka aksidentuar efektivin, ka vendosur në rrezik edhe jetën e policëve të tjerë që e ndaluan.
Sipas burimeve paraprake, polici ka pësuar dëmtime të shumta dhe thyerje në trup sipas pasojë e përplasjes me makinë.
Në momentin e ngjarjes, dy efektivë të “Rrugores” ishin të planëzuar për hapjen e qarkullimit në zonë, pasi do të kalonte eskorta e kryeministrit Edi Rama.
Drejtuesi i makinës, Isniq Nokshiqi, 36 vjeç, me origjinë nga Tropoja, ka qenë i ndaluar me mjetin e tij, duke ofenduar dhe bërtitur.
Policët i janë afruar për ta qetësuar dhe për t’i kërkuar të lëvizë makinën, por i riu u është kthyer me tone të ashpra edhe policëve, duke i ofenduar.
Në momentin që njëri prej policëve ka qenë para makinës, i ka dhënë gaz dhe e ka marrë para për disa metra, duke i rrezikuar seriozisht jetën.
Menjëherë pas ngjarjes Nokshiqi u largua, por u lokalizua nga agjentët e Komisariatit nr. 4 dhe më pas u arrestua.
“Rreth orës 17:30, në zonën e Freskut, shërbimet e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë qenë në shërbim, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin I.N. (i cili u identifikua më pas). Pas ndalimit të automjetit, drejtuesi ka shfaqur shenja nervozizmi dhe ka filluar të debatojë dhe të kundërshtojë me fjalë punonjësit e Policisë. Drejtuesi i automjetit është larguar me shpejtësi me automjet duke aksidentuar punonjësin e Policisë së Qarkullimit Rrugor shtetasit A.L., dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të tjerë të Policisë. Për pasojë është dëmtuar punonjësi i Policisë A. L., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve”, sqaron policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




