Nga Gazeta 'Si' - Sali Berisha, në mbledhjen e Grupit të PD-së, është shprehur se mazhoranca kërkon të kalojë me urgjencë në Kuvend ligjin për përdorimin e drogës.
Ai theksoi se ky ligj do të kundërshtohet me forcën më të madhe nga Partia Demokratike, duke shtuar se duhet të studiohet dhe të gjenden ligjet më serioze të mënyrës së përdorimit farmaceutik të kanabiolit.
“Në vend që të bëjë një diskutim, në vend se të thërrasë mjekët, e marrin dhe e kalojnë si kaçakë në parlament dhe duan ta fusin nesër me urgjencë që të votohet”, tha Berisha referuar seancës së nesërme plenare (19 dhjetor) ku është në rend dite pr.ligji "për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope".
De-facto sipas tij ky është ligji i përdorimit të drogës por "është i mbuluar me substancat psikotrope."
"Në mënyrë antiligjore, sjellin tani ligjin e përdorimit të drogës në parlament. Të identifikojmë vendet dhe praktikat, nuk e kam parasysh por edhe mund të jetë se si produkt farmaceutik mund të ekzistojë, por në tërësi në mënyrë absolute studimi i vjetshëm më i gjëri i bëri nga Universiteti i Harvardit, i akuzon produktet e kanabisit që janë mbi 50, të cilat thotë studimi mund të kenë efekte shumë negative.
Midis të tjerash është gjetur se ka katërfishuar skizofreninë. Studim shumë serioz danez.
Si mundet? Po këta nuk kanë asnjë lloj standardi. E thotë Bibla, njerëz pa cilësi. Do përdorim këta termin e Biblës për ta, njerëz pa cilësi, etiketimi më i saktë, në pamje të parë më i njerëzishëm, por në fakt më shkatërrimtar", deklaroi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.