Treg

Djerrë në bregdet, çmimet janë rritur edhe me 30 për qind

Dhjetëditëshi i parë i korrikut ishte i njëjtë pothuajse si muaji qershor thonë vetë pronarët e hoteleve.

Në Durrës, prej qershorit ka nisur zënia e hapësirave publike me shezllongje por pjesa më e madhe e tyre është bosh. Të vetmet që janë plotësuar janë ato të hoteleve që punojnë me paketa turistike gjatë gjithë vitit dhe ku pushuesit janë kryesisht të huaj.

“Ne punojmë me paketa turistike gjatë gjithë vitit. Pushuesit që frekuentojnë hotelin tonë janë nga Kosova, maqedonas ose polakë.

Kurse shqiptarët kryesisht preferojnë plazh ditor dhe mjaftohen vetëm me shpenzime të vogla gjatë ditës”, thotë një prej kamarierëve në bregdetin e Durrësit.

Hotelet me 4 yje që kanë nisur aktivitetin prej 2-3 vitesh janë ata që frekuentohen më së shumti, ndërsa pjesa tjetër e bareve dhe lokaleve që punojnë vetëm gjatë sezonit të verës, pothuajse nuk kanë investuar asgjë në aktivitetin e tyre.

“Të njëjtat shezllone, të vjetëruara ndërsa rriten çmimet e tyre, nga 3-4 mijë lekë në 5-7 mijë lekë, kurse në hotelet me 4-5 yje gjatë ditëve të diela shezllonet shkojnë nga 7-10 mijë lekë. Për hapësira publike nuk flitet fare, nuk ke ku gjen një çadër në këtë zonë”, thotë një pushues që ka zgjedhur të qëndrojë në breg të detit.

Edhe në Himarë, shqiptarët kanë braktisur plazhin. Kryesisht frekuentohet vetëm si plazh ditor, ndërsa pushimet e gjata nuk janë të preferuara. Shkaku është rritja e çmimeve këtë sezon me 30 përqind.

“Nga 50 mijë lekë që ishin çmimet e dhomave gjatë çdo sezoni veror, sot janë 50 euro gjatë muajve qershor-korrik dhe 70 euro në muajin gusht. Bashkë me çmimet e ushqimeve, janë rritur dhe çmimet e ambienteve pritëse. Nuk kemi kërkesa për pushime të gjata dhe dhomat na kanë mbetur bosh. Ne kemi investuar në kushtet e akomodimit, ndaj kostoja është rritur ndjeshëm”, thotë Areti, pronare e një hoteli me 10 dhoma në Himarë.

Ndërsa një tjetër pushuese, Iva nga Tirana ka zbritur në Himarë në fundjavë vetëm për 3 ditët e pushimit, duke qenë se e hëna është pushim zyrtar, për shkak të festës së Kurban Bajramit.

“Himara është bosh, çuditërisht këtë verë është ndryshe nga herët e tjera. Kjo rritje e çmimeve ka ndikuar shumë keq në aktivitetin e hoteleve dhe bujtinave të zonës”, thotë ajo.

Shpresa e pronarëve të bujtinave është muaji gusht kur kthehen dhe emigrantët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë