E ardhmja e demokracisë mund të vendosej nga zyra e një ndërtese të zymtë në periferi të Vilniusit (kryeqyteti i Lituanisë), pranë një autostrade të mbushur me shoferë që prisnin me padurim të niseshin jashtë qytetit. Sviatlana Tsikhanouskaya, ndodhej pikërisht në atë zyrë, përpara se të largohej nga vendi.
Ekipi i saj përbëhej nga më shumë se një duzinë gazetarë të rinj, blogerë, dhe aktivistë. Por kjo nuk ishte arsyeja e vetme që hapësira ishte e zbehtë. Asnjë prej tyre, veçanërisht jo Tsikhanouskaya, nuk donte të ishte në këtë ndërtesë e aq më pak në kryeqytetin lituanez.
Ajo ndodhej atje sepse ndoshta fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Bjellorusi dhe për shkak se diktatori bjellorus që ajo ndoshta mundi, Alexander Lukashenko, e detyroi atë të largohej nga vendi menjëherë. Lituania i ofroi azil. Burri i saj, Siarhei Tsikhanouski, është ende i burgosur në Bjellorusi.
Fushata e saj u bë një fushatë për njerëzit e zakonshëm që i kundërviheshin regjimit. Dy politikanë të tjerë të shquar të opozitës e mbështetën atë pasi fushatat e tyre u bllokuan dhe kur gruaja e njërit prej tyre dhe menaxherja e fushatës së tjetrit u fotografuan përkrah Tsikhanouskaya , fushata e saj u cilësua më shumë një fushatë për gratë e zakonshme — gratë që ishin të lënë pas dore, gra që nuk kishin zë, madje vetëm gra që i donin burrat e tyre.
Në këmbim, regjimi vuri në shënjestër këto tre gra. Tsikhanouskaya mori një kërcënim anonim: se fëmijët e saj do të dërgoheshin në një jetimore. Ajo i dërgoi fëmijët te nëna e saj jashtë vendit, në Vilnius dhe vazhdoi fushatën. Më 9 gusht, zyrtarët zgjedhorë njoftuan se Lukashenko kishte fituar 80% të votave.
Tsikhanouskaya u ndalua nga policia dhe më pas u detyrua të largohej nga vendi. Demonstrata masive u zhvilluan në të gjithë Bjellorusinë .Këto ishin si një shpërthim spontan ndjenjash, një përgjigje popullore ndaj zgjedhjeve të vjedhura dhe një projekt i koordinuar me kujdes nga të rinjtë , disa me bazë në Varshavë, të cilët kishin eksperimentuar me mediat sociale dhe forma të reja komunikimi për disa vite.
Siç tha Vladimir Putin shumë kohë më parë, arrestimet masive janë të panevojshme nëse mund të burgosësh, torturosh ose ndoshta vrasësh vetëm disa njerëz kyç. Pjesa tjetër do të frikësohet dhe do të qëndrojë në shtëpi. Përfundimisht ata do të bëhen apatikë, sepse besojnë se asgjë nuk mund të ndryshojë.
Paketa e shpëtimit të Lukashenkos, që të kujton atë që Putin kishte projektuar për Bashar al-Assad në Siri gjashtë vite më parë, përmbante gjithashtu elemente ekonomike. Kompanitë ruse ofruan tregjet e tyre për produktet bjelloruse që ishin ndaluar nga perëndimi demokratik – për shembull, kontrabandën e cigareve bjelloruse në Bashkimin Europian.
Një pjesë e kësaj mund të realizohej sepse të dy vendet flasin të njëjtën gjuhë. Por ky bashkëpunim i ngushtë mund të realizohej gjithashtu sepse Lukashenko dhe Putin, megjithëse nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin, kanë një të përbashkët.
Të dy besojnë se mbijetesa e tyre personale është më e rëndësishme se mirëqenia e popullit të tyre. Të dy besojnë se ndryshimi i regjimit do të rezultonte me vdekjen, burgosjen ose internimin e tyre.
Të dy gjithashtu morën mësime nga Pranvera Arabe, si dhe nga viti 1989, kur diktaturat komuniste u shkatërruan. Për shembull, demonstratat kundër korrupsionit dhe pro demokracisë të vitit 2014 në Ukrainë, rezultuan në përmbysjen e qeverisë së Presidentit Viktor Janukoviç, duke e përforcuar edhe më shumë këtë frikë nga përhapja demokratike. Putin u tërbua nga ato protesta, jo vetëm për shkak të precedentit që krijuan. Në fund të fundit, nëse ukrainasit mund të heqin qafe diktatorin e tyre të korruptuar, pse rusët nuk do të donin të bënin të njëjtën gjë?
Lukashenko pranoi me kënaqësi ndihmën ruse, u kthye kundër popullit të tij dhe u shndërrua nga një person autokratik patriarkal – një lloj shefi kombëtar i fermave kolektive – në një tiran që kënaqet me mizorinë.
I qetësuar nga mbështetja e Putinit, ai filloi të marrë masa të reja. Jo vetëm arrestime selektive, një vit më vonë, aktivistët e të drejtave të njeriut thanë se më shumë se 800 të burgosur politikë ishin arrestuar. Jo vetëm torturë por përdhunim . Jo vetëm tortura dhe përdhunime, por rrëmbime dhe, me shumë mundësi, vrasje.
Për habinë e të gjithëve, Tsikhanouskaya magjepsi Merkelin dhe Macronin dhe diplomatët e shumë vendeve. Në korrik, ajo u takua me Presidentin Joe Biden, i cili më pas zgjeroi sanksionet amerikane ndaj Bjellorusisë. BE-ja kishte sanksionuar tashmë një sërë njerëzish, kompanish nga Bjellorusia; pas rrëmbimit të Ryanair, BE dhe Britania e Madhe pezulluan gjithashtu linjën ajrore kombëtare bjelloruse.
Të gjithë ne imagjinojmë një karakter vizatimor të një shteti autokratik. Në krye është një njeri i keq. Ai kontrollon policinë. Policia kërcënon qytetarët me dhunë. Ka bashkëpunëtorë të këqij, dhe ndoshta disa disidentë të guximshëm.
Por në shekullin e 21-të, kjo karikaturë ka pak ngjashmëri me realitetin. Në ditët e sotme, autokracitë nuk drejtohen nga djem të këqij, por nga rrjete të sofistikuara të përbëra nga struktura financiare kleptokratike, shërbime dhe propagandues profesionistë.
Anëtarët e këtyre rrjeteve janë të lidhur jo vetëm brenda një vendi të caktuar, por midis shumë vendeve. Kompanitë e korruptuara e të kontrolluara nga shteti në një diktaturë bëjnë biznes me kompani të korruptuara të kontrolluara nga një shtet tjetër. Policia në një vend mund të armatosë, pajisë dhe trajnojë policinë në një vend tjetër.
Propagandistët ndajnë të gjitha burimet që promovojnë propagandën e një diktatori, të cilat mund të përdoren gjithashtu për të promovuar propagandën e një tjetri. Sot, anëtarëve më brutalë të autokracisë. nuk u intereson shumë nëse vendet e tyre kritikohen nga të tjerët. Udhëheqësit e Mianmarit nuk kanë vërtet ndonjë ideologji përtej nacionalizmit, vetë-pasurimit dhe dëshirës për të qenë në pushtet.
Udhëheqësit e Iranit, me besim, i zhvlerësojnë pikëpamjet e jobesimtarëve perëndimorë. Udhëheqësit e Kubës dhe Venezuelës nga ana tjetër hedhin poshtë deklaratat e të huajve me arsyetimin se ata janë “imperialistë”. Të papërshkueshëm nga kritika ndërkombëtare, autokratët modernë po përdorin taktika agresive për të zhdukur protestat masive dhe pakënaqësitë.
Putin nuk kishte turp kur organizoi ” zgjedhjet ” në fillim të këtij viti, në të cilat rreth 9 milionë njerëz u ndaluan të ishin kandidatë, partia pro-qeveritare mori pesë herë më shumë vëmendje televizive se të gjitha partitë e tjera së bashku.
Junta birmaneze nuk kishte turp kur vrau qindra protestues, përfshirë adoleshentë të rinj, në rrugët e Yangon. Qeveria kineze mburret për shkatërrimin e saj të lëvizjes së demokracisë popullore në Hong Kong. Gjithashtu gjatë viteve të fundit, qeveria turke ka survejuar dhe arrestuar qindra ujgurë me akuza false për terrorizëm dhe ka dëbuar disa, duke përfshirë katër të cilët u dërguan në Taxhikistan dhe më pas u dorëzuan në Kinë në vitin 2019.
Po sa të ndryshëm jemi ne ? Ne amerikanët? Ne europianët? A jemi kaq të sigurt që institucionet tona, partitë tona politike, mediat tona nuk mund të manipulohen kurrë në të njëjtën mënyrë?
Nëse shekulli i 20 –të do të ishte historia e një lufte të ngadaltë, të pabarabartë, që përfundon me fitoren e demokracisë liberale mbi ideologjitë e tjera, komunizmin, fashizmin, nacionalizmin virulent – shekulli i 21-të është, deri më tani, e kundërta. Freedom House, e cila ka publikuar një raport vjetor për lirinë në botë për rreth 50 vite, dhe e quajti edicionin e saj të vitit 2021 ” Demokracia nën kërcënim”
Srdja Popovic, aktivisti i demokracisë, argumenton se konfrontimet midis autokratëve dhe popullatës së tyre po bëhen më të ashpra pikërisht sepse lëvizjet demokratike po bëhen më të organizuara. Por pothuajse të gjithë ata që mendojnë shumë për këtë temë kanë rënë dakord se kutia e vjetër e mjeteve diplomatike e përdorur dikur për të mbështetur demokratët në mbarë botën është ndryshkur dhe e vjetruar.
Burimi: The Atlantic/ Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.