Ana e errët

Djemtë e drogës në Shqipëri, përse nuk i prek askush?

Nga Gazeta Si – Në një nga lokalet e potershme në dalje të Kamzës një grup të rinjsh, shumica e të cilëve nuk e ndajnë çantën marsup i bashkohen toneve të larta të muzikës.

Ata janë të veshur në pamje të parë me rroba firmato, telefona të shtrenjtë dhe të palestruar. Jashtë qëndrojnë të parkuara mjete luksoze, disa me bllokazh e të tjera të mbyllura siç duhet.

I veshur me një këmishë që i kanë dalë fije në jakë, kamarieri që ju pastron herë pas here tavolinën, diçka rreth 20 vjeç lëviz me shkathtësi nga tavolina në tavolinë.

Grupi i të rinjve firmato i hedhin vazhdimisht batuta dhe kur ata largohen hedhin mbi tavolinë një bakshish për të. “E kam mbaruar shkollën dhe pres që të më tërheqë vëllai në Angli. Këtu të jesh çun për së mbari është e pakonceptueshme. Punoj kamarier dhe s’kam as makinë, as bëj jetë si ata që ikën”.

B (inicial i ndryshuar) flet për Gazetasi.al për brezin e të rinjve si ai, 30-vjeçarë që jetojnë shtrenjtë pa bërë asgjë, ose 20-vjeçarë si ai.

“Disa janë djemtë e babait, dhe me këta nuk përzihet kush. Pastaj janë ata të tjerët, që jetojnë këtu dhe nuk jetojnë këtu. E kam fjalën, sot i shikon në Kamëz, pas dy tre javësh zhduken, dhe i ke ose në Spanjë ose në Angli. Punë bari. Kthehen me xhepat plot dhe përpara tyre ndihesh një mizë”.

Kamarieri përsërit se i vëllai i dërgon para për të mos u trazuar derisa ta tërheqë andej. “Punon në një lavazh dhe më thotë se aty paguhesh. Përditë më porosit t’u rri larg tipave të tillë, policia i njeh, lagjja i njeh. Janë djemtë e drogës”.

Kamarieri që mban frymën me paratë që fiton duke shërbyer tavolinë më tavolinë është i qartë se të kthehesh në shtëpi me autobus përpara syve të bashkëmoshatarëve të tij është poshtëruese.

‘S’kam makinë, s’bëj pushime. Një verë punova në Durrës gjatë sezonit dhe aty kupton se ka të rinj që shpenzojnë në një natë aq sa unë fitoj gjithë muajin”. Dhe B. ka të drejtë.

Të punosh si ai përpara një duzine të rinjsh që bëjnë përpara duke blerë shtëpi pa u munduar, mjete të shtrenjta e duke bërë pushime është qartazi e dukshme për institucionet që në mos t’i mbajnë nën vëzhgim, të gjurmojnë të ardhurat e tyre.

“Pse ka polici, pyet B., sipas të cilit oficerë të caktuar të rinj ose jo i stimulojnë tipa të tillë të ecin përpara. “Kam qëlluar njëherë duke u kthyer në shtëpi me një nga klientët që mbasi mbajta lokalin hapur me leje të pronarit dhe u shërbeva më tha do të kthej unë në shtëpi. Kur po ktheheshim, ai kaloi me të kuqe dhe kur u ndaloi me dëshirë njërit prej këtyre postblloqeve, oficerët e nderuan. Më ka bërë përshtypje. Nuk ja bënë testin e alkolit. Njiheshin pra dhe të siguroj se ky person është një nga djemtë e drogës. Në Yzberisht dhe Astir gjithashtu zbulon realitetin e të rinjve që duken dhe zhduken, dhe pa bërë asnjë punë ecin përpara ekonomikisht. Modeli i tyre nuk është as R. që ngarkon dhe shkarkon produkte bulmeti nga një furgon dhe as një tjetër që shërben ashtu sikurse B. “Është e vërtetë , një brez 30-vjeçarësh e poshtë duan të bëjnë para shpejt. I keni parasysh ata të rinjtë që u arrestuan mbas rrëfimit të N.D. Shumica e tyre janë të lindur mbas 1990 dhe ishin të përfshirë në vrasje me pagesë si Skerdi Tasi apo ata të tjerët që çdo njëri kishte akuza të vrasjes dhe të grabitjeve. Për fat të keq ky është një realitet demotivues”, shprehet një zyrtar i rendit për Gazetasi.al, i cili si edhe personazhi i Gazetasi.al ka një qasje kritike ndaj policisë dhe prokurorisë që duhet të ndiqte paratë e tyre dhe të zbulonte se çfarë aktiviteti kanë.

Djemtë e drogës në shtëpi bari dhe jo vetëm

Shtëpi të banueshme. Zyra. Hambar kafshësh. Vendparkime. Këto janë disa nga vendet e përshtatura nga kultivues droge, që përmes llambave dhe në bashkëpunimin e të afërmve i kanë kthyer ato në shtëpi hashashi, njohur ndryshe si shtëpitë e barit.

Përmes llambave, por dhe në bashkëpunim me nëpunës të OSHEE realiteti i kultivimit të kanabisit në ambjente të mbyllura duke i përshtatur po gjeneron miliona para krimi. Në disa qytete policia ka goditur baza të tilla, ku shpesh kryefamiljarët e shtëpive të tilla kanë përfunduar në pranga. Si një biznes i zi fitimprurës që për 100 rrënjë gjeneron në rastin më fatkeq 40 mijë euro fitim, të rinjtë sipas të dhënave që disponon gazeta Si po përfshihen përherë e më shumë në shtëpitë e barit.

Një 31-vjeçar nga qyteti i Lushnjës që jetonte me qera në zonën e Qesarakës ja doli mbantë të arratisej përkohësisht nga banesa, atëherë kur oficerët ja behën në derë të shtëpisë.

“Duke mbjellë hashash brenda në apartament ai e zhvillonte qetësisht aktivitetin e paligjshëm dhe ishin punononjësit OSHEE që vërejtën konsum të lartë të energjisë elektrike, ndryshe nga mjaft raste të tjera kur ata mbyllin sytë”.

Burimet i thanë Gazetasi.al se i riu tentoi të dilte nga shtëpia me qira përmes tubave të ujit, por sapo zbriti në tokë, një oficer e priste me pranga në duar.

Kashari, Vora, dhe qytete me shtëpi bari si Tropoja, Kukësi dhe Shkodra së fundmi duhet të sillnin një reflektim ndryshe të policisë përballë këtij realiteti. Në shumë raste policia bllokon vazo të mbjella, të rinj që ngrenë supet dhe prindërit e tyre marrin përsipër implikimin si rasti i Kasharit ku kultivimin e mori përsipër nëna e të dyshuarit.

Historia e një të moshuari që u vetëfajësua

Ai jeton me bashkëshorten në fshatin e tij të lindjes. I biri u largua drejt Tiranës. Por nga një bari se si 75 vjeçari X.K u kthye në një mbjellës hashashi në laborator këtë po përpiqen ta zbulojnë hetuesit që megjithëse janë të prirur t’i besojnë atij, kanë dyshime të forta se i moshuari po mbron djemtë.

“Gjatë kontrollit rezultoi se në hangarin e bagëtive të banesës së shtetasit X.  K., u konstatua një ambient i brendshëm laborator, i përgatitur me llamba stërgjatëshe me energji elektrike me aspirim ku ishin kultivuar në vazo rreth 220 bimë të dyshuara si Cannabis Sattiva. Përkatësisht në parcelën e parë rreth 205 bimë dhe parcelën e dytë rreth 300 bimë dhe në parcelën e tretë rreth 947 bimë. Gjithsej 1.672 bimë të dyshuara si Cannabis Sattiva.”

I moshuari i surrprizoi efektivët me deklaratën e tij, duke këmbëngulur se “i kam marrë unë djemtë në qafë. Ata s’dinë gjë. Jetoj vetëm me gruan dhe ne e kemi fajin”.

Hetimi i antidrogës së Krujës konstaton se gjatë operacionit në shtëpi gjendeshin dhe të rinjtë, por ata u larguan menjëherë. Policia kujton për Gazetasi.al “pyetëm si persona ndaj të cilëve zhvillohen hetimet  dhe dy të rinjtë F. dhe D., të cilët deklaruan se nuk kanë dijeni për lëndën e kultivuar në laborator, nuk jetojnë me prindërit dhe janë larguar nga frika e policisë.”

Të rinjtë dorëzuan deklarata noteriale ku vërtetohej se jetojnë me qira në kryeqytet dhe se autorësinë e mori përsipër i ati tek i cili ai kishte shkuar për “vizitë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë