Mazhoranca ka nisur kundërpërgjigjen për protestën e opozitës dhe nismës për dorëzimin e mandateve, duke akuzuar PD-në si një parti që po bëhet pengesë për procesin e integrimit të vendit. Kryeministri Edi Rama pavarësisht krizës politike ka vijuar turin e tij “Bashkia që duam” për të takuar qytetarët e bashkisë së Pukës.
Protesta dhe sulmet ndaj kryeministrisë më 16 shkurt, kryeministri i cilëson si një përpjekje për të penguar procesin e integrimit të vendit, por edhe atë të ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë.
“Duke treguar në Europë imazhet e vandalizmit mbi godinën e qeverisë dhe duk në një rrugë që është e njohur për të gjithë është një film i parë sa herë që afrohen zgjedhjet ata i afrohen këtij avazi sepse nuk fitojnë dot zgjedhjet. Ndërtuan një çadër në mes të bulevardit dhe bëjnë çmos për të penguar zgjedhjet dhe reformën në drejtësi, ndërkohë që ajo po shkon përpara duke vazhduar një operacion që do të vijojë në një operacion të thellë. Ata sërish i vihen barrikadë drejtësisë dhe përdorin argumente që janë vetëdiskreditues për këdo që ka vesh e dëgjon me veshët e vet e jo me të tyre. Këta që flasin për blerje votash janë zgjidhja dhe jo problemi, ja kujt shqiptari mund ti besohet kjo? Kujt shqiptari i besohet se këta që flasin për korrupsion janë zgjidhja dhe jo problemi. Arsyeja pse ata nuk fitojnë dot zgjedhjet është se janë problemi dhe jo zgjidhja. Prandaj nuk fitojnë dot zgjedhjet”, deklaroi kryeministri.
Ndërkohë që ai i është përgjigjur edhe akuzave të blerjes së votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, duke theksuar se Basha kishte qeverinë, duke nënkuptuar postet ministrore që mori PD-ja në bazë të marrëveshjes së 17 majit mes dy liderëve kryesorë të politikës.
“Të gjitha këto janë mënyra për t’i ikur ballafaqimit me zgjedhësit. Më e bukura është që flasin për zgjedhjet e shkuara po kush ka harruar që në zgjedhjet e shkuara ata ishin në qeveri, ata kishin ministrin e Brendshëm, kishin të gjitha institucionet që kërkuan. Atëherë si u blenë votat nga ne kur në institucione ishin ata? Kur mbaruan zgjedhjet nuk e pranuan rezultatin sepse ata nuk e kuptojnë pse humbasin dhe do vazhdojnë të humbasin sepse nuk e kuptojnë. Dhe ngatërrojnë popullin që vendosin me ndjekësit e tyre që i mbledhin për të bërë demonstrime force”, theksoi kryeministri.
Rama deklaroi më pas se të gjitha qëndrimet e opozitës janë alibi përpara humbjes së zgjedhjeve dhe qëndrimet janë një film që e kanë parë edhe më përpara sa herë që afrohet procesi zgjedhor.
“Shumë keq për ta aspak mirë për vendin, po ne nuk kemi zgjidhje. Detyra jonë është të vazhdojmë kontratën me shqiptarët. Kjo është e gjitha dhe të tjerat janë të gjitha pastaj gjëra të thjeshta për t’u kuptuar sepse ua kam thënë se për sa kohë që mendoni se shqiptaret mund t’i bëni për budallenj, shqiptarët do t’ju lënë aty ku jeni dhe jo vetëm kaq, por do zvogëloheni gjithnjë e më shumë. Në këto zgjedhje apo të 2021 populli shqiptarë do t’i lë aty ku janë ose edhe më pak”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




