Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka thënë se djegia e e mandatve të opozitës është një bojkot i maskuar për të krijuar një pseudo krizë në vend.
Balla përshëndeti deklaratën e ambasadës amerikane në Tiranë kundër vendimit të opozitës dhe tha se beson ende se PD ka njerëz të përgjegjshëm, të cilët nuk do të pranojnë që të marrin një vendim që do ta vendoste partinë e djathtë kundër SHBA.
“Asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka të drejtë të dëmtojë perspektivën europiane të Shqipërisë. Mandatet parlamentare përfaqësojnë vullnetin e popullit. Djegia e tyre do të thotë injorimi i këtij vullneti, – u shpreh ai në emisionin “Opinion”. – Besoj se në PD ka njerëz të përgjegjshëm të cilët nuk do të pranojnë që të marrin një vendim që do ta vendoste partinë e djathtë kundër SHBA. Ky është bojkot i fshehur, i maskuar”, – deklaroi ai, duke iu referuar deklaratës së ambasadës amerikane, ku shprehej se largimi nga Kuvendi minon parimet bazë të demokracisë.
I pyetur se çfarë i ofrohet opozitës për të zgjidhur këtë krizë, ai deklaroi se këtu nuk bëhet fjalë për krizë me fajtorë dy palët.
“Duhet të kuptojmë se nuk ka një krizë ku fajtorë janë dy palët, por e shkaktuar për nevoja të brendshëm të opozitës, – tha deputeti i majtë. – Kërkesat e PD, për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme, PS nuk do t’i pranojë. Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë do të bëhen në qershor të vitit 2021… Lulzim bëhu gati për zgjedhjet”, – shtoi ai.
Balla theksoi se nuk është hera e parë që PD kërkon alibi në prag të zgjedhjeve, ndërsa duke iu referuar protestës, ai akuzoi PD që të distancohet nga dhuna dhe kaosi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




