Nga Gazeta ‘Si’- Me diskutime të forta është shoqëruar mungesa e kryetares së Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka në mbledhjen e sotme, një ditë pasi ishte në SPAK për seancën e pyetjeve lidhur me dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Deputetja socialiste u zëvendësua në drejtim nga nënkryetari Eduard Ndreca mirëpo mungesa e saj, nuk e pengoi opozitën që të hidhte akuza të forta ndaj saj.
Deputeti demokrat Dashnor Sula, duke marrë fjalën në sallë tha se ajo ka dëmtuar rëndë imazhin e Komisionit të Ligjeve.
Ai kërkoi të bëhet një deklaratë e Komisionit për distancim nga veprimet e Bushkës.
“Ky komision do të duhet të kishte pasur një qëndrim dhe nuk mund të kalojë në një gjendje kaq të heshtur. Të gjithë anëtarët e komisionit të ligjeve mazhorancë dhe opozitë së bashku të bënim një deklaratë të distancimit. Është e paimagjinueshme që kryetarja e Komisionit të Ligjeve të jetë personi që ka kryer veprime në kundërshtim të hapur me ligjin.
Kujtdo mund t’i ndodhë, por me një vetëdije të paparë në pengimin e hetimit të drejtësisë për kryetarin e bashkisë Erion Veliaj, kjo është e paimagjinueshme, e pafalshme.
Prandaj unë do të kërkojë nga ju zoti drejtues i këtij komisioni që të kemi një deklaratë apo një prononcim që të distancohemi nga kjo sjellë që ka bërë kryetarja e Komisionit të Ligjeve, sepse ka dëmtuar rëndë imazhin e Komisionit të Ligjeve”, tha Sula.
Edhe deputeti i ‘Djathtas 1912’, Enkelejd Alibeaj, nuk kurseu kritikat ndaj qeverisë për këtë situatë.
Ai gjithashtu vijoi më tej duke iu përgjigjur me replikë në distancë fjalës së kryeministrit Edi Rama, sot (25 shkurt) në rubrikën ‘Sy m’sy’, i cili u shpreh se “SHBA ishin larguar nga SPAK dhe Shqipëria”.
“Ikën Amerikanët nga SPAK? Po janë shqiptarët këtu!”, tha Alibeaj.
Ndërkohë deputeti socialist Toni Gogu akuzoi PD-në se ka në program shkrirjen e Prokurorisë së Posaçme.
“Flisni ju që keni në program elektoral shkrirjen e SPAK. Socialistët po përballen me ligjin pa u fshehur e me dinjitet”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




