Drejtësia

Djali i dënuar për trafik prostitucioni, Prokuroria e Tiranës sekuestron pasuritë e babait

Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuritë e një fmiljeje në kryeqytet, djali i të cilës ishte dënuar për trafikim femrash me qëllime prostitucioni.

Me kërkesë të organit të akuzës, u njoftua sot zyrtarisht se “u sekuestruan pasuritë e Adriatik Gjinecit, një apartament dhe dy makina, si person i lidhur me Ismail Gjinecin, (djali i tij) i cili është subjekt i hetimit pasuror në bazë të ligjit ‘për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar’.

“Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit pasuror nr.81, viti 2020, mbi shtetasin I.Gj., i dënuar dhe arrestuar për veprën penale ‘trafikim i personave të rritur’ ka dyshime se pasuria e vënë prej tij ose familjarëve të tij nuk përputhet me të ardhurat e ligjshme”, bëri me dije Prokuroria.

I riu akuzohet se në bashkëpunim me persona të tjerë rekrutonin vajza për prostitucion në drejtim të Italisë dhe pas kryerjes së veprimeve hetimore, në vitin 2015, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, i caktoi masën e sigurimit ‘arrest në burg’.

“Nga hetimet e shtrira tek personat e lidhur me të, rezultoi se i ati i tij, shtetasi A.Gj., me balancë negative në banka, nuk justifikon me të ardhurat blerjen e një apartamenti dhe dy makinave në pronësi të tij. Këto pasuri të paluajtshme, dyshohet se janë fituar nga personi i lidhur A.Gj., si rezultat i përfshirjes së djalit të tij të dënuar I.Gj. nga aktiviteti kriminal”, sqaroi më tej organi i akuzës.

Prokuroria kërkoi dhe sekuestroi:

Pasuri e paluajtshme, apartament nr. 3 me sip 117.78 m,2, Pallatet “SANDY” Sh.P.K, Tiranë;
Pasuri e luajtshme, automjet tip “Renault Scenic”; dhe
Pasuri e luajtshme, automjet tip “Lancia Musa”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë