Ngjarje

Divjakë / U martua me 14-vjeçaren dhe arrestohet, prindërit e 33-vjeçarit: Nuk e dinim që vajza ishte e vogël

Gazeta Si – Një 33-vjeçar është arrestuar në banesën e tij në fshatin Kryekuq të Divjakës, pasi akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur.

Aranit Arapi ishte martuar me një të mitur dhe pas denoncimeve të shumta në polici të familjes së vajzës, këtë të enjte atij i janë vënë prangat.

Vajza 14-vjeçare nga Roskoveci i Fierit kishte 10 muaj që qëndronte e martuar me 33-vjeçarin. Pas arrestimit, prindërit e djalit tregojnë për mediat se ata i kishin bërë dasmë dhe nusen e kishin në shtëpi.

Në 15 mars 2023, e mitura la klasën e 7 dhe erdhi në Kryekuq, ndërsa në 27 gusht 2023 familja e djalit bën dasmë.

Që nga kjo ditë, 14-vjeçarja jetonte me burrin dhe 2 prindërit e tij. Sipas Bukurie dhe Agron Arapit, ata nuk e dinin se nusja që i solli djali në shtëpi ishte 14 vjeçe, por 17.

“Ajo i tha që ishte 17 vjeçe. Unë e kam marrë në gusht vesh që ajo ishte 14”, tha Agim Arapi, babi i të arrestuarit.

“Moshën e vërtetë nuk e dinim. Djalit i kishin thënë 17. Ta dija që është 13 e kisha ashtu tha”, u shpreh Bukurie Arapi, nëna e të arrestuarit.

Megjithatë, që nga koha kur 14-vjeçarja iku nga shtëpia, prindërit e saj e denoncuan në polici.

Dy familjet kanë pasur probleme me njëra-tjetrën, por vajza këmbëngulte në dashurinë e saj, duke mos iu bindur edhe policisë.

“Kemi nga 15 marsi i 2023. Dasmën e kam bërë në gusht. M’u krijua mundësia, thashë t’i gëzoja. Pyeta prindërit e saj, ai tha nuk ke punë me vajzën time ta marrësh nuse. Presioni i parë. Unë po bëj gëzim në shtëpi time. Në atë kohë, i bëjnë presion nuses, goca sëmuret, në spital në Divjakë 4 ditë rresht në agoni. Ata në polici. Vjen policia merr çunin. Nusja ka qëndruar me dëshirë. I thamë që në fillim kur vajtëm. Ajo tha do vij me ju. Kam bërë deklaratë në polici tha nuk ndahemi. O mik, dakord. Dakord tha. Do bëhemi miq? Do bëhemi. Trashëgohen jetë të lumtur. Vajza ishte në klasë të 7, e la shkollën”, tha Agim Arapi, babai i të arrestuarit.

Pas arrestimit të 34-vjeçarit, nusja minorene është larguar nga banesa e burrit dhe po asistohet nga punonjëset sociale dhe psikologia, por nuk dihet vendndodhja e saj. Gjatë arrestimit të djalit, kanë qenë prezent edhe prindërit e vajzës.

“Kërkoj drejtësinë time pse të më hyjnë kështu te shtëpia dhe pse të m’i bëjnë djalit kështu. Djali me zor nuk e mori. Atë i thashë dhe dje atij. Djali nuk e mori me zor. Çfarë qe kjo kështu?”, shprehet ndër të tjera nëna e të arrestuarit.

E pyetur se ku është njohur djali i saj me vajzën, nëna e 34-vjeçarit tha se kur shkonte tek fshati që kishte gocën tjetër të martuar, e kishte parë dhe më pas u njohën në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë