Tregu i kapitaleve në Shqipëri është ende në embrion. Për nxitjen e tij dhe diversifikimin e sistemit financiar u organizua këtë të enjte në Tiranë një konference me pjesëmarrjen e AMF, Bankës së Shqipërisë dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Sekretariatin Shtetëror të Zvicrës për Çështjet Ekonomike, SECO.
Konferenca mblodhi së bashku përfaqësues të nivelit të lartë nga Qeveria shqiptare, mbikëqyrësit financiarë, si edhe institucionet financiare kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se tre kriza e njëpasnjëshme që kanë goditur vendin, fillimisht tërmeti, më pas pandemia dhe tani kriza e çmimeve të shkaktuar nga lufta në Ukrainë kanë detyruar qeverinë që t’u drejtohet tregjeve për rritjen e borxhit.
Kjo, sipas Ibrahimajt, kufizon instrumentet dhe mekanizmat që qeveria ka në dispozicion për të diversifikuar sistemin financiar në një periudhë afatshkurtër. Por, ministrja u shpreh se një plan i qeverisë është ai për prezantimin e bonove të gjelbërta, që do të nxisnin zhvillimin ekonomik dhe njëkohësisht të mbronin mjedisin.
Tregu i bonove të gjelbërta ka pësuar një rritje të fortë vitet e fundit. Vetëm në 2021 në Wall Street ai vlerësohej me një vlerë rreth 1 trilion dollarë. Shifra është ende modeste në krahasim me totalin e tregut të bonove, ku përllogaritet në rreth 130 trilion dollarë.
Në rastin e Shqipërisë, bonot e gjelbërta do të nxisnin e financonin projekte me rëndësi sidomos në fushën e energjitikës, si parqet me panele diellore, apo të energjisë së erës.
Si sfidë për diversifikimin financiar në vend, Ministria e Financave sheh edhe informalitetin. Ibrahimaj tha se strategjia e diversifikimit është përplotësuese me reformat e tjera që ka ndërmarrë qeveria për reduktimin e këtij fenomeni.
“Informaliteti është një sfidë që është e përhapur në të gjithë ekonominë shqiptare. Reformat që jemi duke diskutuar dhe reformat në sektorin financiar dhe tregjeve të kapitalit mbështesin punën që po bëjmë për të reduktuar informalitetin. E gjithë puna shkon në drejtim të reduktimit të informalitetit”, tha Ibrahimaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



