Politike

Ditën e arrestimit Salianji firmos padinë, çon Fatmir Xhafajn në SPAK: Të hetohet për pasurinë, vëllai i tij është dënuar për drogë

Vetëm pak orë para arrestimit për të cilin ai u shpreh i gatshëm ndaj ekzekutimit të vendimit, porse për formën do vendoste PD-ja, Ervin Salianji ka deklaruar se ka firmosur kërkesën për hetim pasuror ndaj ish-ministrit, Fatmir Xhafajt drejtuar SPAK.

Padia e firmosur prej tij dhe kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i referohet faktit se vëllai i ligjvënësit është dënuar për drogë në Itali dhe duhet t’i nënshtrohet verifikimit procedurial sipas ligjit.

Padia ndaj Xhafajt është formuluar të premten në mëngjes, një ditë pasi Apeli i Tiranës la në fuqi dënimin e shkallës së parë për dënimin me 1 vit burgim, me veprën penale “kallëzim i rremë” për dosjen “Babale”.

“Unë jam sot një i dënuar politik me urdhër të Fatmir Xhafës dhe porosi të Edi Ramës.

Ka shumë interpretime për rrjedhën e ngjarjeve dhe dënimin tim për “kallzim të rremë”, por vetëm një fakt, vetëm një provë, vetëm një të vërtetë.

Më 15 maj 2018 unë kam dalë nga kjo foltore, bashkë me zotin Bardhi dhe zotin Alibeaj, dhe kam publikuar një dokument të gjykatave italiane ku vëllai i ministrit të asokohe, Fatmir Xhafaj, rezultonte i dënuar në Itali me 7.4 vite burg”, tha Salianji.

“Mund të gjykoni secilin nga ne per shumë e shumë, por mbetet çështja: si ka mundësi që krerët e opozitës, duke filluar nga Sali Berisha janë në burg ose në ndjekje penale?!

Si ka mundësi që, të gjithë ata që u prishin skemën e vjedhjes dhe shkatërrimit të vendit shkojnë në burg?!

Ne Himarë, sapo Beleri fitoi me votë këta u kthyen për ta mposhtur me burg.

Sali Berisha u mori 600 mijë vota pa vulë, pa fonde, pa emër në listën e votimit, dhe këta i erdhën me pranga.

Unë çora fasadën me denoncime dhe prova, me audio dhe video, këta përpëliten të më mposhtin me burg. E si mund të ketë dorëzim! Nuk mund të dorëzohemi!”, vijoi Salianji. Ai ftoi demokratët të bashkohen në protestën e thirrur me 6 tetor.

“Në 6 tetor në Tiranë të jemi bashkë, të mblidhemi të fortë për të shuar e mbytur gëzimin e lig se ata po e shfarosin Partine Demokratike, se po shfarosin e syrgjynosin demokratet, nuk e bëjnë dot. Shqipëria është e jona e njerëzve që e duan si vend mundësish, jo vend hajnish. Kjo nuk është një thirrje o sot o kurrë, është një deklaratë “gjithmonë” dhe këtu!”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë