Futboll

Ditë historike për Partizanin, luan ndeshjen e parë në stadiumin e tij

Gazeta Si – Partizani është ekipi i parë në Shqipëri që ka një stadium të vetin. Dhe sot është një ditë historike për klubin e madh shqiptar, pasi luan ndeshjen e parë në këtë stadium privat, pa asnjë lloj lidhjeje me intitucionet vendore. Gjithë skuadrat e tjera në vend luajnë në stadiume, që janë pronë e bashkive të qyteteve.

Stadiumi i Partizanit ndodhet në zonën e Tufinës dhe është një impiant mjaft modern. Klubi kryeqytetas ka kohë që investon për këtë kompleks të tij, pasi nuk është vetëm stadiumi, por edhe fushat e stërvitjes, palestra, parkingu, muzeu i klubit etj.

Pamje nga stadiumi i Partizanit. Gazeta Si, 14 nentor 2022

Për finalizimin e projektit ka dhënë një dorë edhe Federata Shqiptare e Futbollit, që ka dhuruar tapetin e fushës, sistemin e ndriçimit dhe ulëset.

Është një model që duhet ta ndjekin të gjitha klubet e tjera shqiptare për të qenë krejtësisht të pavaruar nga bashkitë. Të gjitha të ardhurat që do të vijnë nga biletat dhe reklamat shkojnë vetëm në arkën e Partizanit.

Të kuqtë presin sot Bylisin për javën e 12-të të Superiores dhe inaugurimi i stadiumit kërkon patjetër një fitore në fushë. Ndeshja nis në orën 16:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë