Shendet

Në Shqipëri mbizotëron hepatiti B dhe C

Hepatitet i referohen një inflamacioni të mëlçisë. Në kuadër të ditës ndërkombëtare të hepatiteve mjeku infeksionist Arjan Harxhi i shpjegoi Gazetasi.al se të dhënat e studimeve disa vite më parë tregojnë se prevalenca e hepatitit B është më e shpeshtë në Shqipëri.

“Në popullatën e përgjithshme në Shqipëri shkonte nga 6 deri 7%, pra një vend me prevalencë të ndërmjetme”, shton Harxhi.

Sipas Harxhit trajtimi i hepatiteve B dhe C bëhet bazuar në udhërrëfyesit kombëtarë me skema mjekimi, ku bëjnë pjesë antiviralët. Këto mjekime janë të përfshira në listën e barnave të rimbursueshme.

“Mjekimi i hepatitit C me këto barna mundëson shërimin gati 100% nga hepatiti C, ndërsa mjekimi i Hepatit B me antivirale parandalon shfaqen e komplikacioneve siç është cirroza e mëlçisë apo kanceri i mëlçisë”, shpjegon më tej Harxhi.

Më herët shefja e shërbimit infektiv në QSUT, Najada Çomo i ka thënë Gazetasi.al se kohët e fundit ka një paraqitje të rasteve me forma të rënda të hepatit B, infeksion viral që transmetohet përmes rrugës seksuale, por fatmirësisht s’ka pasur humbje jete.

Foto ilustruese-Hepatiti B-Marrë nga interneti-Gazeta “Si”-28.07.2022

Hepatitet ndahen në grupe të ndryshme, si A, B, C, D dhe E.

Hepatiti A është një formë akute dhe kohë shkurtër i sëmundjes. Ndërkohë B, C dhe D janë forma përgjithësisht kronike. Hepatiti E është gjithashtu akut, por mund të jetë shumë i rrezikshëm në gratë shtatzëna.

Hepatiti A transmetohet më së shpeshti nga konsumimi i ushqimit ose i ujit të kontaminuar nga feçet e një personi të infektuar me hepatitin A.

Hepatiti B dhe C mund të shkaktojë infeksion akut dhe kronik të mëlçisë. Virusi i hepatitit B dhe C transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjakun ose lëngje të tjera trupore (p.sh. sperma apo sekrecionet vaginale) të një personi të infektuar.

Hepatiti D transmetohet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me gjakun e infektuar. Hepatiti D është një formë e rrallë e hepatitit, që ndodh vetëm me ndërthurje me hepatitin B. Virusi i hepatitit D nuk mund të shumëfishohet pa praninë e hepatitit B.

Hepatiti E është një sëmundje që vjen nga uji i ndotur. Gjendet kryesisht në zonat me higjienë publike të ulët dhe zakonisht rezulton nga ndotja e ujit të pijshëm nga fekale të infektuara.

Simptoma të zakonshme të hepatitit akut përfshijnë:

-lodhje

-urinë e errët

-feçe e zbehtë

– humbja e oreksit

– dhimbje barku

-humbje peshe e pashpjegueshme

-zverdhja e lëkurës dhe syve, të cilat mund të jenë shenja të verdhëzës

Hepatiti kronik zhvillohet ngadalë, kështu që këto shenja dhe simptoma mund të jenë të papërfillshme për t’u vënë re. Periudha e inkubacionit të hepatitit B është mesatarisht 75 ditë, por mund të variojë nga 1 deri 6 muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë