Lufta më e gjatë e Amerikës po përfundon ashtu siç filloi, me një komb që po mban zi për të vdekurit e një sulmi terrorist dhe një President të zemëruar që zotohet se do të gjejë fajtorët në Afganistan.
Humbja e 13 trupave amerikane dhe më shumë se 90 afganëve në shpërthimet jashtë aeroportit të Kabulit të enjten, ilustroi tragjedinë e një konflikti që nuk e arriti kurrë qëllimin e tij kryesor: pastrimin e tokës afgane nga terrorizmi.
Në një ironi mizore, amerikanët e fundit që vdiqën u vranë në një sulm të konceptuar në të njëjtën tokë me sulmin e al Kaedës më 11 shtator të vitit 2001, i cili solli luftën nga e cila ata po përpiqeshin të largoheshin.
Sulmi, që besohet se është kryer nga filiali i Shtetit Islamik i njohur si ISIS-K, ndërpreu fazat përfundimtare të evakuimit të furishëm të më shumë se 1.000 amerikanëve që mund të jenë ende në vend, si dhe mijëra afganëve që ndihmuan forcat dhe zyrtarët amerikanë. Ky sulm gjithashtu hodhi dritë mbi vendimmarrjen e Presidentit Joe Biden dhe natyrën kaotike të tërheqjes së SHBA-së. Trupat dhe civilët amerikanë ishin të pambrojtur, konfuzë dhe të etur për t’u larguar.

Ajo që alarmoi Uashingtonin është se masakra mund të përsëritet sërish deri të martën, kur SHBA do të largohet përgjithmonë nga Afganistani.
Gjenerali Kenneth “Frank” McKenzie, i cili kryeson Komandën Qendrore të SHBA-së, paralajmëroi se kërcënimet e reja nga ISIS-K, që ndoshta përfshinin raketa ose bomba të transportuara nga automjetet. Kjo do të thotë se katër ditët e ardhshme do të jenë ndër më të tensionuarat dhe më të rrezikshmet nga e gjithë lufta për trupat amerikane.
Në një kohë të tragjedisë kombëtare, kombet u drejtohen udhëheqësve të tyre. Biden, i cili kaloi pjesën më të madhe të ditës në Dhomën e Emergjencave në Shtëpinë e Bardhë, doli vonë pasdite për një fjalim televiziv. Mes pikëllimit dhe vendosmërisë, ai u zotua për hakmarrje. “Ne nuk do të falim. Ne nuk do të harrojmë. Ne do t’ju ndjekim dhe do t’ju bëjmë të paguani,” u tha Presidenti terroristëve. “
Por për ironi, premtimi i tij për hakmarrje ishte i njëjte më atë të bërë nga ish-Presidenti George Ë. Bush një ditë pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.
Ashtu si për Bush, kjo ishte edhe për Biden dita më e errët e presidencës së tij.

Zyrtarët amerikanë qëndruan të vendosur se do të përfundonin misionin e evakuimit , duke ngritur pyetje shtesë në lidhje me strategjinë që po ndiqte Biden.
Për ata që ishin në Shtëpinë e Bardhë, e enjtja ishte një nga ditët më shkatërruese që nga marrja e detyrës. Pak pas raporteve të para për shpërthimeve në Kabulit, zyrtarët u përballën me dhjetëra kërkesa për informacioni. Gjatë një takimi të stafit të Biden, disa punonjës të ndryshëm u panë të përlotur kur mësuan për vdekjet e ushtarëve amerikanë.
Vetë Biden qëndroi në këmbë për orë të tëra me ekipin e tij të sigurisë kombëtare në Zyrën Ovale. Por reagimi i tij erdhi me vonesë dhe fraza “ku është Joe Biden?” mund të lexohej kudo në Twitter.
Dita fillimisht ishte drejtuar rreth përparësive të tjera. Biden duhej të takohej me kryeministrin e sapozgjedhur izraelit Naftali Bennett. Ai ishte planifikuar të mbante një konferencë me guvernatorët për të folur për zhvendosjen e refugjatëve. Grupi i punës Covid-19 ishte planifikuar të informonte gazetarët për situatën e pandemisë.
Por çdo përpjekje për t’u dukur sikur Shtëpia e Bardhë po operonte në çështje të shumta në të njëjtën kohë u tejkalua nga ngjarjet në anën tjetër të globit.
Burimet: “CNN”, “Politico.EU”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




