Belgjika fitoi lehtësisht 3-0 përballë Panamasë duke provuar në fushë se jo më kot emri i saj renditet mes skuadrave pretendente për të fituar këtë Kupë Bote.
Heroi i takimit ishte sulmuesi Manchester United, Romelu Lukaku. 25-vjeçari gjeti dy herë rrugën e rrjetës, në të dyja rastet në pjesën e dytë. Sot shtatlarti belg konsiderohet si një ndër sulmuesit më të mirë në qarkullim dhe jetën e ka më të thjeshtë. Por jo gjithmonë ka qenë kështu për të. Në një rrëfim të disa kohëve më parë, Lukaku ka folur për vuajtjet që ka kaluar kur ishte fëmijë dhe ditën që i ndryshoi jetën.
Rrëfimi
E mbaj mend shumë mirë momentin kur nuk kishim asnjë kacidhe në shtëpi. E kam të ngulitur në kokë momentin kur nëna ime hap frigoriferin me vetëm një kuti qumështi brenda dhe nuk e harroj kurrë pamjen në fytyrën e saj.
Isha vetëm gjashtë vjeç dhe vajta në shtëpi për të ngrënë drekën pas pushimit të shkollës. Menuja ishte e njëjta për çdo ditë; bukë dhe qumësht. Kur je fëmijë disa gjëra nuk i kupton, por besoj se kaq ishin mundësitë tona në atë kohë.
Atë ditë, kur u ktheva në shtëpi vrapova drejt kuzhinës. Më kish marrë uria. Aty pashë mamanë time me derën e frigoriferit hapur dhe kutinë e qumështit në dorë. Po e tundte! Kuptova që i kish hedhur ujë për ta shtuar, pasi nuk na dilte për gjithë javën. Më pas më solli drekën dhe buzëqeshi sikur çdo gjë ishte në rregull. Por unë e kuptova pikërisht në atë moment se çfarë po ndodhte.
Babai im ishte futbollist profesionist, por në mbyllje të karrierës dhe paratë i kishte shpenzuar të gjitha. Gjëja e parë nga e cila hoqëm dorë ishte televizori dhe stacionet kabllore. S’kishte më futboll dhe as ndeshje, s’kishte më sinjal. Më pas, vinte një natë kur iknin dritat. Nuk kishim energji elektrike për 2-3 javë radhazi.
Kërkoja të bëja një dush, por s’kishim ujë të nxehtë, Mamaja nxehte një tenxhere me ujë në gaz dhe hidhja me një kovë në kokë ujin e ngrohtë. Kishte ditë kur mamaja detyrohej të shënonte në listë, bukën tek furra në fund të rrugës. Bukëpjekësit më njihnin mua dhe vëllezërit e mi, ndaj i jepnin bukë nga e hëna në të enjte, që e paguanim më pas të premten.
Ishim mësuar me vuajtjet dhe me mungesën e shumë gjërave në shtëpinë tonë dhe në tryezën e ngrënies, por në momentin që pashë mamanë të përziente me ujë kutinë e qumështit thashë kaq e patëm. Kjo ishte jeta jonë!
E kuptova, por nuk thashë asnjë fjalë. Nuk doja të stresoja. Thjesht hëngra drekën time dhe atë ditë u betova para Zotit e i bëra një premtim vetes. E dija saktësisht se çfarë duhej të bëja dhe si duhej bërë.
Nuk mund të shikoja mamanë time në atë gjendje. Nuk mund ta pranojë më atë situatë. Në futboll sot flasin për fuqinë mendore të një lojtari dhe unë besoj që bëj pjesë tek lojtarët e fortë në këtë aspekt. Jeta më ka bërë të tillë. Kujtoj në një moment kur ishim në shtëpi dhe pa drita, mamaja na mbledh në tryezën e ngrënies si vëllezër. Nis lutjen tradicionale dhe unë mendoja, besoja dhe thellë thellë e dija se çfarë do të bëja me jetën time.
Nuk i tregova njeriu për premtimin që i kisha bërë vetes për pak kohë, deri kur një ditë u ktheva nga shkolla dhe pashë mamanë time të përlotur. I thashë: “Mama, mos qaj! Çdo gjë do të ndryshojë! Ke për ta parë. Unë do të luaj për Anderlehtin dhe do ta shohësh që do të ndodhë shumë shpejt. Do të jemi mirë dhe ti nuk ke pse të shqetësohesh më”.
Isha vetëm gjashtë vjeç kur bëra këtë premtim dhe pyeta tim atë se kur mund të luaja futboll si profesionit. Ai më tha 16 vjeç. E pranova sfidën dhe isha i bindur e i përkushtuar për ta mbajtur fjalën e dhënë.
Që prej asaj dite, çdo ndeshje që luaja me moshatarët e mi ishte një finale. Edhe kur luaja në park ishte një finale. I merrja ndeshjet shumë seriozisht dhe kisha një gjuajte të fuqishme, sa në raste të caktuara trajnerët dhe bashkëmoshatarët më kërkonin që ta ulja pak ritmin. S’e bëja.
Isha më trupmadh se të tjerët. Në moshën 11-vjeçare luajta për skuadrën zinxhir të Lierse dhe mbaj mend që babai i një bashkëmoshatari të një skuadre kundërshtare u përpoq të më ndalojë së luajtur. Kërkoi kartën e identitetin dhe se ku kam lindur.
Mbeta i habitur. I thashë që kam lindur në Antwerp dhe se jam belg. Babai im nuk ishte aty, sepse nuk kishte mundësi për të blerë një makinë dhe të më ndiqte në ndeshjet që larg shtëpisë. Isha krejtësisht i vetëm, por i vendosor. Shkova tek çanta ime dhe mora kartën e identitetit. Ja tregova prindërve që kërkonin të dinin moshën dhe se ku kisha lindur.
U binda edhe më shumë dhe ëndrra ime ishte që të bëhesha lojtari më i madh në historinë e Belgjikës. Nuk doja të isha as më i miri, as më i sjellshmi. Kisha shumë zemërim përbrenda për shumë arsye, që prej minjve që bridhnin në shtëpinë tonë, se nuk shihja dot ndeshjet e Ligës së Kampionëve, por edhe për mënyrën sesi më shihnin dhe trajtonin prindërit e fëmijëve të tjera.
I kisha vënë vetes një mision dhe kur isha 12 vjeç kisha shënuar 76 gola në 34 ndeshje. I shënova që të gjithë me këpucët e babait tim. Një ditë mora në telefon gjyshin. Isha shumë i lidhur me të. Ishte i vetmi kontakt që kisha me Kongon, andej nga janë prindërit e mi. E mora dhe i thashë që kisha shënuar 76 gola, që fituam ligën dhe që skuadrat e mëdha po më shihnin. Zakonisht ishte shumë entuziast, por këtë herë ishte ndryshe.
“Shumë mirë Rom, por a mund të më bësh një nder?”, më tha nga ana tjetër e telefonit.
Prisja të dija se çfarë nderi do të më kërkonte dhe i thashë: Po, pa merak.
“Kujdesu për vajzën time”. Këtë porosi më la dhe pesë ditë më vonë ndërroi jetë. U trishtova. Do të doja që të kishte jetuar edhe katër vite të tjera për të më parë teksa përmbushja një premtim e dhënë. 16 vjeç e 11 ditë. Ishte 24 maji i vitit 2009 në Play Off-in final mes Anderlecht dhe Standard Liege.
Nuk arrija që ta besoja që po luajë me skuadrën A të Anderlehtit. Në fillim të sezonit isha një lojtar stoli edhe tek U19 e skuadrës. Deri kur një ditë vendosa bast me trajnerin. I thashë, që nëse më aktivizon rregullisht do të shënojë 25 gola para dhjetorit.
Ai qeshi me mua, ndërsa unë këmbëngula dhe si këmbim, nëse ai humbte bastin do të na gatuante ëmbëlsira çdo ditë si skuadër. E pranoi bastin dhe pa u mbyllur ende nëntori e kuptoi që kishte bërë gabim që e pranoi. Kisha shënuar 25 gola dhe nisëm që të hanim ëmbëlsira pa ardhur Krishtlindjet ende.
Në fund të sezonit firmosa kontratën profesioniste me Anderlehtin. Ishte fundi i sezonit, por atë vit kampionati belg ishte një çmenduri. Anderlehti dhe Standardi ishin me pikë të barabarta në krye, ndaj do të zhvilloheshin dy ndeshje mes tyre për të përcaktuar fituesen.
Ndeshjen e parë e ndoqa nga shtëpia si tifoz, ndërsa një ditë pas takimit të dytë mora një telefonatë nga trajneri i rezervave. Më tha bëj gati çantën dhe nisur për në stadium sepse atje të pret skuadra e parë. Nuk e besova për momentin.
Nxitova së bashku me babain drejt stadiumit. Shkova me kokë tek dhomat e zhveshjes dhe aty personi i caktuar nga klubi më thotë se çfarë numri doja. Isha shumë i ri për të qenë i frikësuar dhe i kërkova direkt numrin 10. Qeshi më mua dhe më sqaroi se lojtarët e rinj marrin fillimisht numrat mbi 30. Kërkova 36 dhe atë mora.
Luajta për Anderlehtin kur isha 16 vjeç e 11 ditë. Ishte minuta e 63 kur trajneri më futi në fushë. Atë ditë e humbën ndeshjen, por unë isha në qiellin e shtatë. Kisha arsyet e mia. Kisha mbajtur një premtim dhe e dija që gjërat pas kësaj dite do të bëheshin më mirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.