Gazeta Si – Goditje e dyfishtë për Milanin e Stefano Piolit. Sot është dita e Kristian Pulisiç, i cili ka mbërritur në Milano për të kryer vizitat mjekësore dhe për të firmosur me klubin kuqezi një kontratë deri në vitin 2027, me 4 milionë euro në sezon.
Amerikani me pasaportë kroate bashkohet te Milani me shokun e skuadrës Loftus-Çik, që gjithashtu la Çelsin për ekipin italian. Sapo zbarkoi në Milano, Pulisiç ka përshëndetur tifozët e tij të rinj me një postim në rrjetet sociale: “Përshëndetje tifozë të Milanit, jam Pulisiç. Jam shumë i lumtur që jam këtu, mezi pres të filloj këtë aventurë”.
Është një ditë e rëndësishme edhe për një tjetër lojtar, Reijnders, të cilin trajneri Pioli ua ka kërkuar me ngulm drejtuesve. Milani ka gati 25 milionë euro për AZ Alkmar, që këtë herë duhet të bindet. Milani i ri po lind, duke siguruar pjesët njëra pas tjetrës.
Zhvillime edhe tek Interi sa i takon çështjes së Lukakut. ‘Big Rom’ nuk dëshiron të kthehet më në Londër, edhe pse Çelsi ka spostuar grumbullimin për të hënën. Sulmuesi belg ka në mendje vetëm Interin dhe ka kërkuar nga klubi zikaltër që ta mbyllë marrëveshjen me Çelsin sa më shpejt.

Lojtari nuk ka shkuar në Britaninë e Madhe, nuk do që të udhëtojë me ekipin për në SHBA për turneun e verës, kur ende ka negociata të hapura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




