Futboll

Dita e portierëve, Akinfejev dhe Subashiç çojnë Rusinë e Kroacinë në çerekfinale

Dita e penalltive dhe portierët Igor Akinfejev dhe Daniel Subashiç janë heronjtë e ditës, i pari me dy penallti të pritura dhe i dyti me tre. Spanja dhe Danimarka jashtë. Stadiumi “Luzhniki” dhe e gjithë Rusia në delir, pasi kombëtarja e tyre ka eliminuar Spanjën pretendente, pas ekzekutimit të 11-metërshave. Kjo është një tjetër surprizë e madhe e këtij Botërori, pasi pakkush, ose askush, nuk e mendonte kualifikimin e organizatorëve të Kupës së Botës përballë Spanjës së emrave të mëdhenj. Në çerekfinale ka kaluar edhe Kroacia e trajnerit Daliç, po me ndihmën e penalltive.

I vetmi portier, i cili ka fituar “Topin e qartë”, është rusi Lev Jashin. Igor Akinfejev nuk është kosnideruar asnjëherë pasardhësi i tij, por ndaj Spanjës ai ka bërë që në gjithë Rusinë të shpërthejë festa, duke pritur penalltitë e Kokes dhe Iago Aspas. Për rusët nuk ishte nevoja të gjuhej penalltia e 5-të, ndërkohë që në 4 penallti nuk gabuan asnjë. Shënuan Smolov, Ignasheviç, Golovin dhe Çerishev.

Ndeshja nisi mirë për Spanjën, që kaloi në avantazh me autogolin e Ignasheviç. U duk se ndeshja ishte nën kontrollin e spanjollëve, por situata u komplikua në fundin e pjesës së parë, kur Dzuba fitoi një 11-metërsh dhe e ktheu vetë në gol. Trajneri Hierro kishte lënë në stol Iniestën për Asension, me këtë të fundit që nuk u fut asnjëherë në lojë. Barazimi 1-1 nuk ndryshoi në pjesën e dytë dhe në 30 minutat shtesë, ku skuadrat kishin mundësinë edhe për zëvendësimin e katërt.

Në ruletën e penalltive fati ishte me rusët, të cilët vazhdojnë të ëndërrojnë, edhe pse nuk kanë një ekip bindës. Tani po shijojnë kalimin në çerekfinale, ku do të përballen me Kroacinë. Trajneri i Spanjës, Fernando Hierro, mori përsipër përgjegjësitë pas ndeshjes, Andres Iniesta njoftoi tërheqjen nga kombëtarja, ndërsa Serxho Ramos tha se ky nuk është fundi i një gjenerate.

Me të njëjtin rezultat, 1-1, u mbyll edhe ndeshja mes Kroacisë dhe Danimarkës. M.Jorgensen shënoi që në minutën e parë për danezët, por pas 3 minutash Manxhukiç barazoi shifrat, që nuk ndryshuan deri në minutën e 120-të. Pak raste dhe lojë me shumë kujdes nga të dyja skuadrat, me frikën se mos pësonin një tjetër gol. Epërsi e lehtë e Kroacisë, por pa rrezik konkret në portën e Shmajkel. Luka Modriç kishte shansin t’u hiqte shokëve të skuadrës presionin e penalltive, kur në fundin e shtesës së dytë iu dha mundësia ta kalonte Kroacinë në avantazh, por gaboi nga pika e bardhë, duke ia dhuruar topin në dorë portierit të Danimarkës.

Daniel Subashiç ishte super në gjuajtjet e penalltive, duke pritur tre penallti, të parën atë të lojtarit më të mirë të kundërshtarit, Eriksen. Penalltinë vendimtare për Kroacinë e shënoi Rakitiç. Për kroatët gabuan nga pika e bardhë Badelj dhe Pivariç, kurse për danezët Eriksen, Shone dhe Nikolai Jorgensen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë