Në ditën e pestë, protesta në rrugët e Tiranës ka qenë disi më e qetë. Pasi ka ndarmarrë masat për përforcimin e të gjitha hyrjeve dhe akseve kryesore të kryeqytetit, policia ka kërkuar më herët që protestuesit të shpërndahen.
Por gjithsesi, pasi protestuesit janë mbledhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke ecur të kapur krah për krahu drejt Drejtorise se Policise janë shënuar edhe incidentet e para.
Forcat Speciale kanë krijuar një bllokadë para Drejtorisë së Policisë Tiranë, duke mos i lejuar protestuesit që të afrohen. Nga ana tjetër protestuesit i janë përgjigjur me gjestin simbolik të shtrirjes në rrugë me duart mbi kokë.
Disa protestues më pas gjuajtën me gurë dhe menjëherë pati një reagim nga uniformat blu duke hedhur gaz lotsjellës si dhe autoboti ka hedhur ujë me presion mbi protestuesit.
Menjëherë pas këtij episodi kanë filluar shoqërimet e para të protestuesve, shumica të rinj teksa janë të paktën 6 që kanë rënë në dorë të Policisë.
Sot është parë një numër i shtuar i kordonëve të Policisë para institucioneve kryesore në vend dhe shumë agjentë policie.
Në protestën e nisur para pesë ditësh pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia, në bulevard janë vënë re gjithashtu edhe përfaqësues të të rinjve të FRPD dhe LRI. Pati me shume pankarta, një prani më të madhe të qytetarëve dhe aktivistë të shoqërisë civile dhe më pak minorene, të cilët në 4 protestat e kaluara ishin kryesisht shkaktarët e disa akteve të dhunës.
Protestuesit thane se duan largimin e Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Disa prej protestuesve të pranishëm u shprehen per mediat se Veliu manipuloi provat e vrasjes së Klodjan Rashës nga policia.
Të paktën 1500 efektivë policie janë vënë këtë mbrëmje në dispozicion të ruajtjes së institucioneve kryesore si Kryeministria, Ministria e Brendshme, apo Drejtoria e Policisë së Tiranës.
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë gjithashtu janë mobilizuar dhe kanë qenë gjatë gjithë kohës në gatishmëri, ndërsa autobote me ujë janë vendosur përkrah institucioneve.
Autobotet me ujë janë zhvendosur sa herë që ka pasur grumbullime kryesisht të rinjsh nëpër nyjet kryesore të kryeqytetit.
Protesta zgjati më shumë se dy orë pasi grumbuj të rinjsh herë janë larguar dhe herë janë afruar sërish në Sheshin “Skënderbej”, (ku edhe filluan protestën) nga ku policia nuk është kursyer t’i shpërndajë me gas lotsjellës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





















