Kosova

Dita e katërt e barrikadave në veri / Rrugë të bllokuara, situata e sigurisë mbetet e brishtë

Për të katërtën ditë me radhë, në veri të Kosovës rrugët vazhdojnë të jenë të bllokuara. Kamionë të rëndë dhe mjete të tjera vazhdojnë të bllokojnë rrugën në fshatin Rudarë, në Zveçan.

Qindra njerëz u mblodhën të hënën(12 dhjetor) në Beograd, për të protestuar “si shenjë mbështetjeje për serbët” në Kosovë.

Protesta është zhvilluar përpara Kishës Shën Sava.

Thirrja për protestë është bërë e ditur në rrjetin social Telegram, te kanalet e disa organizatave të krahut të djathtë në Serbi.

Protestuesit kanë kënduar këngë për Kosovën dhe këngë nënçmuese për shqiptarët në Kosovë.

Ata kanë bërtitur “serbët dhe rusët, vëllezër përgjithmonë” si dhe “jo ndasive, Kosova është pjesë e Serbisë”.

Protestuesit kanë lëvizur edhe te rrugët e qendrës së qytetit, të cilat janë mbyllur për trafikun.

Ata kanë djegur flamurin e Kosovës përpara Presidencës së Serbisë dhe më pas kanë thënë se janë në pritje “të përgjigjes së shtetit”.

Që nga 10 dhjetori, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës.

Ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Ai po dyshohet se ka organizuar sulmin terrorist ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor, kur janë sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është takuar dje në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në komunikatat e lëshuara nga këto institucione është thënë se liderët e Kosovës kanë biseduar me Escobarin për nevojën e largimit të menjëhershëm të barrikadave.

Ndërkohë, kryediplomati europian, tha se blloku është shprehur i gatshëm të shtojë praninë e forcave të Misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, nëse është e nevojshme, ndërsa e cilësoi të papranueshme situatën në veriun e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë