Analize

Dita e gjykimit të Recep Tayyip Erdogan

Turqia nuk ka qenë kurrë më e përcarë se kaq, në historinë e saj moderne. As Recep Tayyip Erdogan nuk është përballur kurrë me një luftë kaq të ashpër zgjedhore. Udhëheqësi më i fuqishëm i Turqisë që nga epoka e Kemal Ataturkurk, do të bëhet edhe më i pushtetshëm nëse fiton zgjedhjet e ditës së sotme, duke hequr postin e kryeministrit dhe duke zhvlerësuar rolin e parlamentit. Por nëse nuk fiton 50% të votave presidenciale, ai do të përballet me një balotazh, me Muharrem Inçen, kandidatin e zjarrtë të të majtëve, që ka elektrizuar votuesit që nga fillimi i fushatës.

I adhuruar nga mbështetësit e tij dhe i urryer nga kritikët e tij, kjo është dita e gjykimit për Presidentin Erdogan. Rreth 60 milionë turq po votojnë për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Turqisë dhe për të zgjedhur anëtarët e parlamentit, por askush nuk mund t’i parashikojë rezultatet e ditës së sotme. Gjashtë kandidatë po konkurrojnë për presidencën dhe nëse njëri prej tyre fiton më shumë se 50% të votave, ai do të jetë jetë zyrtarisht udhëheqësi i ri i vendit. Nëse askush nuk merr gjysmën e votave, të gjitha pale do të përballen në një votim të raundit të dytë më 8 korrik. Erdogan është duke shpresuar të fitojë me vendosmëri, pasi një balotazh mund ta çojë drejt humbjes ose drejt ngushtimit të diferencës së votave.

Përsa u përket zgjedhjeve parlamentare, Partia AKP po ballafaqohet me një betejë të ashpër për të mbajtur shumicën e saj në asamblenë 600 vendëshe. Votuesit do të duhet të vendosin mes një koalicioni të drejtuar nga qeveria dhe një aleance të madhe të partive opozitare. Performanca e Partisë Demokratike Popullore pro-Kurde (HDP) mund të jetë vendimtare. Nëse ajo merr 10% të votave të nevojshme për të hyrë në parlament, AKP-ja do ta ketë shumë te vështirë të ruajë dominimin e saj. Kandidati presidencial i HDP-së Selahattin Demirtas ndodhet aktualisht në një burg të sigurisë së lartë, i akuzuar për mbështetjen e terrorizmit.

Cilat janë çështjet kryesore zgjedhore?

Më e madhja është ekonomia. Liria turke ka humbur vlerën dhe inflacioni ka shkuar në rreth 11% . Qytetarët e zakonshëm janë më të prekurit nga kriza ekonomike. Terrorizmi është një çështje tjetër e rëndësishme e këtyre zgjedhjeve, pasi Turqia përballet vazhdimisht me sulme nga militantët kurdë dhe xhihadistët e grupit të Shtetit Islamik. Megjithatë, korrespondenti ynë thotë se vendi po tenton të votojë përgjatë ndarjeve të mëdha politike, midis kurdëve dhe nacionalistëve nga njëra anë dhe midis fetarëve dhe laikëve nga ana tjetër.

A do të jetë votimi i lirë?

Qendrat e votimit u hapën mes sigurisë së lartë. Vetëm në Stamboll, janë vënë në gjendje gatishmërie 38,000 policë.  Mediat ngrenë shqetësime rreth kërcënimit të votuesve, veçanërisht në zonat juglindore ku votimi i kurdëve është thelbësor për rezultatin zgjedhor. Manipulimi i zgjedhjeve është një tjetër rrezik potencial, veçanërisht pasi Erdogan miratoi një ligj të ri që lejon që fletët e votimit të numërohen edhe nëse nuk kanë pullën e bordit zgjedhor për t'i shënuar ato si të vërteta.

Aktivistët e të drejtave gjithashtu thonë se shtypi nuk është i lirë të raportojë në mënyrë objektive për të gjitha palët politike. Sipas grupeve të monitorimit, nën sundimin e Erdogan, Turqia është bërë burgu më i madh i gazetarëve në botë,

Çfarë ndodh nëse Erdogan fiton?

Presidenca në Turqi kishte dikur një rol kryesisht ceremonial, por në prill të vitit 2017, 51% e votuesve turq miratuan një kushtetutë të re që i jep presidentit fuqi të reja. Ato përfshinin edhe caktimin e drejtpërdrejtë të zyrtarëve të lartë publikë, duke përfshirë ministrat dhe nënkryetarët. Kritikët e kanë akuzuar Erdogan se po përpiqet të marrë sundimin e vendit, ndërkohë që kandidatët e tij rivale kanë thënë se do të zhbëjnë ndryshimet e referendumit. Nëse Erdogan humbet edhe zgjedhjet parlamentare edhe presidenciale, peisazhi politik i Turqisë do të ndryshojë ndjeshëm.

Por nëse presidenca fitohet nga Erdogan dhe parlamenti nga një kandidat tjetër, Turqia do të përballet me një periudhë të paqëndrueshme politike për muajt në vijim. Ankaraja ka kaluar një periudhë të trazuar që prej përpjekjes së grushtit të shtetit në vitit 2016. Më shumë se 160,000 njerëz janë arrestuar, si pjesë e një goditjeje ndaj pasuesve të klerikut Fethullah Gulen, i cili akuzohet nga qeveria se organizoi komplotin kundër Erdoganit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë