Politike

Dita e genocidit ndaj popullit çam, një minutë heshtje në Kuvend

Kuvendi i Shqipërisë nisi sot punimet e seancës plenare me një minutë heshtje nga deputetët në përkujtim për gjenocidin ndaj çamëve.

Me kërkesë të kryetarit të Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, seanca parlamentare e 3 korrikut ka nisur me një minutë heshtje për viktimat e masakrave nga shovinistët grekë në vitin 1945.

Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, në fjalën e mbajtur sot në Kuvend tha se bëhen 80 vite nga 1944 ku u masakruan e shpërngulën banorët e Çamërisë.

“Genocidi nuk ka moshë. Unë dhe kolegët e mi jemi këtu për të thënë se memoria e një kombi është më e madhe se ajo e një njeriu. Thuhet se një popull që harron, vdes. Ne e kemi sfiduar harresën. Nuk fajësojmë popullin grek por politikën e kohës dhe qëndrimin e sotëm”, u shpreh Idrizi.

“Greqia mban ligjin e luftës me Shqipërinë. Greqia europiane mohon ekzistencën e çamëve”, u shpreh Idrizi.

Idrizi vuri në dukje se askush nuk mund të shkelë mbi të drejtën e jetës.

Ai kërkoi nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla respektimin e kësaj dite çdo vit sepse ky është një ligj i miratuar nga po ky Parlament në vitin 1994, si dhe një detyrim qeverie kundrejt Rezolutës për shqiptarët e Çamërisë.

27 qershori është dita e njohur nga parlamenti i Shqipërisë me Ligjin nr 7839, datë 30.06.1994 “Për shpalljen e datës 27 qershor në kalendarin kombëtar si “Dita e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë dhe ngritjen e një memoriali”.

Po ashtu, sipas Idrizit, ka dhe një rezolutë të miratuar në vitin 2012 për Çështjen e shqiptarëve të Çamërisë detyruese për çdo qeveri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë