Futboll

Tirana ngec në Korçë dhe i largohet dyshes së kreut, tifozët vendas i thyejnë xhamin e autobusit

Gazeta Si – Dita e barazimeve kjo e diel për Superioren. Pas Kukësi-Dinamo City, edhe dy ndeshjet e tjera, Skënderbeu-Tirana dhe Teuta-Laçi, janë mbyllur po në barazim, por me rezultatin 1-1.

Një ngjarje e shëmtuar ndodhi në qytetin e Korçës pas ndeshjes, ku tifozët vendas kanë sulmuar autobusin e Tiranës, duke e gjuajtur me gurë dhe duke i thyer një xham. Një ngjarje e dënueshme, aq më tepër për një qytet si Korça.

Sa i takon ndeshjes, Tirana u gjend në disavantazh, pas golit të shënuar nga korçarët me një penallti mjaft të kontestuar, të ekzekutuar saktë nga Nikaj. Megjithatë, kryeqytetasit barazuan në fundin e pjesës së parë me brazilianin Kaina. Dy skuadrat u ndalën edhe nga shtylla në këtë ndeshje.

Barazimi nuk i bën punë Tiranës, edhe pse bëhet fjalë për një transfertë të vështirë. Skuadra e Ahmatajt ka 18 pikë, shumë larg Egnatias kryesuese me 26 pikë. Partizani ndërkohë ka 23 pikë, por përveç ndeshjes së nesërme me Vllazninë, ka edhe të prapambetur nga java e parë me Teutën.

Kjo e fundit barazoi sot në fushën e saj me Laçin. Durrsakëve në fakt u iku fitorja nga duart. Ata kishin shënuar me Dacin dhe në kohën shtesë Laçi arriti të barazonte me Myrtjan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë