Ne rrjet

Dita e 5 e protestave në Turqi, Ekrem Imamoglu do të sfidojë Erdoganin në zgjedhjet presidenciale

Gazeta Si – Partia opozitare CHP ka emëruar zyrtarisht Ekrem Imamoglun si kandidatin e saj presidencial për zgjedhjet e vitit 2028, tha një zëdhënës i partisë për agjencinë e lajmeve AFP të hënën.

Emërimi u konfirmua pasi partia mbajti zgjedhjet paraprake të dielën në të cilat Imamoglu ishte i vetmi kandidat dhe ku morën pjesë 15 milionë njerë, pjesa më e mdhe e të cilëve jo anëtarë të partisë së tij.

Ndërkohë, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën për të pestën ditë radhazi në shumë qytete të dielën për të protestuar kundër arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu.

Kundërshtari kryesor politik i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, i cili ka qeverisur në mënyrë autoritare për vite me rradhë, u arrestua me akuza korrupsioni të konsideruara të motivuara politikisht.

Protestat janë më të mëdhatë që nga ato të vitit 2013, të cilat ishin më  masivet në historinë e fundit turke, sërish kundër Erdoganit, i cili ishte kryeministër në atë kohë.

Protestat u zhvilluan në 55 nga 81 provincat që përbëjnë Turqinë, pra në më shumë se dy të tretat e vendit.

Në Stamboll, protestuesit u mblodhën para bashkisë, duke mbajtur pankarta dhe flamuj dhe duke brohoritur parulla, të rrethuar nga dhjetëra oficerë policie. Pati disa përplasje të cilave policia u përgjigj me gaz lotsjellës, ujë dhe plumba gome. Që nga fillimi i protestave janë arrestuar rreth 700 persona.

Gjithashtu të dielën, u mbajtën zgjedhjet paraprake të partisë së Imamoglu, Partisë Popullore Republikane (CHP, e qendrës së majtë dhe nacionaliste), të cilat u përdorën për të zgjedhur kandidatin për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028: Imamoglu ishte i vetmi kandidat, ku pjesëmarrja në votime ishte shumë e madhe.

Zgjedhjet paraprake u shtrinë edhe për njerëzit jo anëtarë të CHP-së, vota e të cilëve kishte një kuptim kryesisht simbolik dhe shërbeu për të shprehur mbështetjen për Imamoglun.

Sipas të dhënave të publikuara nga partia, morën pjesë rreth 15 milionë njerëz, nga të cilët vetëm 1.6 ishin anëtarë partie (Turqia ka 86 milionë banorë).

Tani për tani numrat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, por gjithsesi janë një konfirmim i mëtejshëm i mbështetjes që Imamoglu gëzon në mesin e popullatës turke.

Të thirrur nga CHP, partia laike e themeluar nga Kemal Mustafa Atatürk, ata votuan unanimisht për të emëruar kryetarin e Bashkisë së Stambollit si kandidatin e zgjedhur për të sfiduar “Sulltanin” Erdogan.

Arrestimi nuk e pengon Imamoglun të kandidojë për president dhe ndoshta të zgjidhet, por gjërat do të ndryshonin nëse ai do të dënohej në një gjyq.

Imamoglu u arrestua të mërkurën. Një gjykatë e Stambollit konfirmoi ndalimin e tij në burg të dielën dhe Ministria e Brendshme turke e pezulloi atë nga posti i tij si kryetar bashkie.

Për më tepër, një ditë para arrestimit të tij, Universiteti i Stambollit i kishte anuluar diplomën, duke pretenduar se kishte parregullsi në mënyrën se si e kishte marrë atë.

Kushtetuta turke parashikon që për t’u bërë president, duhet të ketë një diplomë. Imamoglu ka bërë të ditur se do të apelojë vendimin, duke u konsideruar një tjetër pretekst për ta penguar atë të kandidojë për president.

Imamoglu është 53 vjeç, ka qenë kryebashkiak i Stambollit që nga viti 2019 dhe u rizgjodh vitin e kaluar: në të dyja rastet ai mundi një kandidat konservator të mbështetur nga Erdogan.

Ai konsiderohet si një nga të paktët që mund të mbledhë vota nga komponentët e ndryshëm të opozitës, përfshirë ato konservatore dhe laike dhe minoritetin kurd.

Për këtë arsye, ai është përfshirë prej kohësh në çështje gjyqësore të konsideruara të motivuara politikisht nga mbështetësit e tij, disa prej të cilave ende nuk janë përfunduar.

Sipas akuzave për të cilat është arrestuar, ai është kreu i një organizate kriminale, përgjegjëse për krime si përvetësim, korrupsion, mashtrim i rëndë, marrja e paligjshme e të dhënave personale dhe manipulim me kontrata publike.

Imamoglu akuzohet gjithashtu për lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (ose PKK, organizatën politike dhe paraushtarake që shpalli armëpushimin me shtetin turk në fillim të marsit).

Një pretekst që qeveria turke e ka përdorur shpesh, madje kohët e fundit, për represion kundër kundërshtarëve të saj politikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë