Nga Gazeta Si – Në Shqipëri prej dy vitesh janë dyfishuar rastet që kërkojnë ndihmë tek psikologu për probleme të shëndetit mendor.
Presidentja e Urdhrit të Psikologëve, Valbona Treska thotë se klinikat, kryesisht private, sipas informacioneve jo zyrtare, kanë dyfishuar numrin e vizitave gjatë dy viteve të fundit, që përkojnë me pandeminë dhe periudhën post pandemi.
Në një prononcim për Gazetasi.al, Treska thotë se mosha më e vogël e pacientëve me probleme të shëndetit mendor është 11-vjeç.

“Po konstatojmë probleme me ankthin, kriza paniku deri dhe tek adoleshentët. Ndërsa mosha më e rritur shfaq probleme të një niveli të lartë të stresit dhe depresionit, të cilat nëse nuk kapen në kohë, gjenerojnë me kriza duke i kthyer këta persona në pacientë të spitalit Psikiatrik”, thonë psikologët.
Ajo çfarë ka ndryshuar, në raport me të shkuarën është stigma që sot edhe pse nuk pranohet hapur se dikush në familje vuan probleme të shëndetit mendor, vizita te psikologu dhe psikiatri shihen të nevojshme.
Por, psikologët thonë se ndryshe nga spitali Psikiatrik, në klinikat private, pacientët shkojnë më shumë sepse janë më të mbrojtur nga anonimati.
OBSH, 1 në 8 persona në botë jeton me një çrregullim mendor
OBSH në një raport të fundit të saj për shëndetin mendor, publikuar në qershor të këtij viti, kërkon që kujdesi për shëndetin mendor të mos mbetet thjesht biznes.
OBSH thotë se, teksa problemet e shëndetit mendor po shndërrohen në një taksë të rëndë për njerëzit, sistemet shëndetësore që merren me shëndetin mendor nuk përmbushin nevojat.
Sipas OBSH, kërcënimet globale sot si polarizimi social, urgjencat publike shëndetësore, emergjencat e përhapura humanitare etj, e mbi të gjitha pandemia e Covid-19, kanë krijuar nxitjen e streseve afatshkurtra dhe afatgjata duke minuar shëndetin mendor të miliona njerëzve sot në botë.
“Është vënë re se janë rritur mbi 25% çrregullimet e ankthit dhe depresionit në gjatë vitit të parë të pandemisë”, thuhet në raportin e OBSH të këtij viti.
Sipas raportit, sot në botë një në tetë persona jeton me një çrregullim mendor. Prevalenca e çrregullimeve të ndryshme mendore ndryshon me seksin dhe moshën.
OBSH vërën se si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat, çrregullimet e ankthit dhe depresionit janë më të shpeshtat.
Skizofrenia, më e përhapur tek të rriturit
Në raportin e OBSH, vërehet se sot në botë, 1 në 200 të rritur është i prekur nga skizofrenia.
Kjo kategori e të prekurve, humb jetën mesatarisht 10 deri 20 vjet më herët se popullsia e përgjithshme, si pasojë shpesh e sëmundjeve fizike të parandalueshme.
“Në përgjithësi, pasojat ekonomike të ofrimit të kujdesit të shëndetit mendor, janë të mëdha. Humbjet e produktivitetit dhe kosto të tjera indirekte për shoqërinë shpeshherë tejkalojnë kostot e kujdesit shëndetësor. Ekonomikisht, skizofrenia është sëmundja më e kushtueshme mendore”, thotë OBSH.
Ndërsa depresioni dhe çrregullimet e ankthit janë shumë më pak të kushtueshme por ato janë më të përhapura dhe kështu kontribuojnë kryesisht në kostot e përgjithshme kombëtare.
OBSH shkruan se sistemet e shëndetit mendor në të gjithë botën shfaqin mangësi dhe disbalanca të mëdha në informacion dhe hulumtim, qeverisje, burime dhe shërbime.
OBSH shkruan se vendet me të ardhura mesatare, shpenzojnë më pak se 2% të buxhetit të shëndetësisë për shëndetin mendor.
Gjithashtu rreth gjysma e popullsisë së botës jeton në vendet ku ka vetëm një psikiatër për t’u shërbyer 200.000 ose më shumë njerëzve.
OBSH konstaton se edhe disponueshmëria e barnave psikotrope thelbësore të përballueshme janë të kufizuara, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta.
“Shumica e njerëzve me diagnozë mendore nuk trajtohen plotësisht. Disa faktorë i ndalojnë njerëzit të kërkojnë ndihmë duke përfshirë cilësinë e dobët të shërbimeve, nivele të ulëta të edukimit shëndetësor në fushën e shëndetit mendor, stigma dhe diskriminimi”, thotë OBSH.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




